Gazetare: Fatlume Dervishi
Grupi i punës për Kodin zgjedhor në Kuvend nuk është formuar akoma, meqë ligjvënësi akoma nuk e ka marrë shkresën nga Ministria e Drejtësisë për formimin e tij. Shkresa në fjalë tashmë ka disa javë që pritet nga dikasteri i Drejtësisë.
Grupi i punës do të duhet të negociojë për një Kod të ri zgjedhor por edhe për një model të ri zgjedhor. Nga shumica parlamentare, thonë se të hapura mbetet edhe opsionet e tjera për diskutim, siç është ai për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend.
Kushtetuta e vendit për momentin parashikon që “Kuvendin e përbëjnë prej 120 deri 140 deputetë” por për uljen e numrit në 90 tashmë prej vitesh flet VMRO-DPMNE-ja.
“Kuvendin e përbëjnë prej 120 deri 140 deputetë.” – Kushtetuta, Neni 62
“Mendojmë të propozojmë koncept për të cilin vlerësojmë se derisa ka sinqeritet tek partitë politike do ta pranonin dhe ndërkohë mendoj se qytetarët do ta përshëndesin. Flas për uljen e numrit të deputetëve. 120 është numër shumë i madh dhe mund ta kemi me 90 deputet si ai i Sllovenisë dhe model me një njësi zgjedhore,” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Së fundmi, ideja e uljes së numrit të deputetëve promovohet edhe nga LSDM-ja si pjesë e programit të tyre politik.
“Ne kishim një angazhim programor dhe besoj se 90 deputetë janë të mjaftueshëm për një vend si i yni, duke pasur parasysh madhësinë dhe numrin e banorëve,” tha Oliver Spasovski, LSDM.
Subjektet politike shqiptare duket se nuk kanë ndërtuar një qëndrim të prerë. Nga BDI-ja thonë se për këto ndryshime nevojitet konsensus më i gjerë.
Ndërkohë nuk morëm një qëndrim konkret nëse VLEN është i gatshëm të bisedojë për uljen eventuale të numrit të deputetëve në Kuvend. /alsat.mk



