Gazetare: Melihate Rustemi
14.305 semimaturantë tashmë janë regjistruar në shkollat e mesme të vendit në afatin e parë për regjistrim, ndërkohë rreth 17 mijë semimaturantë kanë përfunduar arsimin fillor. Zëvendës ministri i Arsimit, Lulzim Aliu tha se interesimi më i lartë është paraqitur për drejtimet profesionale, posaçërisht ato duale mirëpo sërish në vend të parë prijnë drejtimet profesionale të mjekësisë.
“Theksi I ministrisë nuk është vetëm drejtimi I mjekësisë. Ne jemi të kënaqur me atë që është rritur interesimi I nxënësve për të vazhduar tek arsimi I mesëm profesional dhe veçanërisht te mësimi dual. Tek rritja e kompanive, janë diku 555 kompani që janë të gatshme, kanë hapur dyert për ti pranuar këto nxënës që ta realizojnë atë pjesën e arsimit praktik që duhet ta realizojnë te kompanitë”, tha Lulzim Aliu, zëvendës ministër I Arsimit.
Aliu kujton se në vitet a ardhshme mund të paraqitet mungesë e elektricistëve, mekanikëve, prodhuesve të tekstilit, këpucëtarëve, e shumë zejeve të ndryshme të cilat tashmë me të madhe kërkohen në tregun e punës.
“Mendoj se në çdo drejtim realisht do të vërehet mangësia në vitet e ardhshme nëqoftëse nuk e stimulojmë gjatë kësaj kohe që të prodhojmë kuadër të arsimit të mesëm. Pastaj, ato e kanë mundësinë që të avancohen edhe më tutje nëse dëshirojnë në arsimin e lartë por një kuadër i përgatitur prej arsimit të mesëm mendoj se do të ishte e dobishme edhe për shoqërinë tonë siç e kanë shtetet e Evropës perëndimore edhe shtetet tjera”, u shpreh Lulzim Aliu, zëvendës ministër i Arsimit.
Paraqitja e dytë për regjistrim në shkollat e mesme është më 30 qershor, ndërsa lista përfundimtare e nxënësve do të publikohet nga shkollat më 2 korrik. /Alsat.mk