Republika e atyre që nuk kapen!
Nga Arian Galdini
Edi Rama shkoi tek Onkologjiku dhe u bëri namin atyre që u kapën.
Tek e fundit, këtu kemi mbërritur, tek sundimi i atyre që nuk kapen dhe lëshimi, fajësimi e mallkimi i kujtdo që kapet.
Kjo është një epokë e re politike dhe institucionale kur drejtësia e re nuk po ia del dot të imponojë standarte të reja morale në shoqëri, por po e detyron Qeverinë dhe Politikën që të adaptohen.
Dhe si po vjen ky adaptim?
Në dy forma, të parët janë të fortët të cilët po i rezistojnë në emër të historisë e ndikimit të tyre në të shkuarën, gjithçkaje të re, dhe të dytët që po sofistikohen për të mos u kapur dhe njëkohësisht duke lëshuar si gaforrja këmbët, këdo që kapet.
A është ky adaptim një gjë e mirë për të sotmen dhe të nesërmen e shoqërisë sonë?
Druaj se jo.
Madje sot duhet të ngremë çdo shqisë e sirenë alarmi, sepse nëse e gjithë shpresa do të vendoset tek drejtësia e re dhe askush nuk do të flasë e punojë për standarte e vlera të reja morale, atëherë me siguri efekti i pashmangshëm do të jetë instalimi i sundimit të atyre që nuk kapen.
Perëndimi nuk e ka patur gjithmonë drejtësinë si pikën a armën e tij më të fortë, madje po ta shqyrtojmë historinë e ngritjes dhe rënies së Perëndimit po të doni, fuqia e vërtetë e sistemit në SHBA, Britani e Madhe dhe BE qëndron tek standartet morale dhe shembujt e përgjegjshmërisë.
Shihni e kërkoni, dhe lehtësisht do të verifikoni se ngado gjejmë lajme e lexojmë a dëgjojmë për zyrtarë e ofiqarë e deri tek politikanë e drejtues të niveleve më të larta institucionale, të cilët pa asnjë dredhë a ngurrim japin dorëheqje e marrin përgjegjësi të plota mbi ngjarje a zhvillime apo skandale të mundshme ku ata përfliten.
Dorëheqja e një ofiqari apo shkarkimi i tij/saj, është gjuha me të cilën politika ndërton standarte shumë afatgjata e të qëndrueshme përtej ndëshkimeve a punës që mund të bëjë drejtësia.
Si është e mundur që nën qeverisjen 11 vjeçare të Edi Ramës, kurrë nuk kemi parë asnjë dorëheqje apo shkarkim për shkak të ndonjë rasti apo përfoljeje publike.
Kemi parë vetëm shkarkime e lëshime, vetëm pasi Edi Rama e ka patur të qartë nga burime të sigurta brenda drejtësisë se filan zyrtar apo fistek bashkëpunëtor i KM është kapur.
Shkarkimet dhe lëshimet janë bërë të befta, para se “i kapuri” të shpallej nën hetim nga drejtësia e kryesisht me “kulturën e Partisë Komuniste Kineze” duke e shpallur lanet “të kapurin” brenda strukturave të partisë.
Me pak fjalë, Edi Ramës nuk i intereson lufta kundër korrupsionit e as morali e vlerat në Qeverisje e Institucione.
Me mënyrën sesi vepron, Edi Rama thjesht përpiqet të kontrollojë çdo shpërthim “bombe skandalesh”, duke mbijetuar vetë e duke krijuar kështu një elitë të re sundimtarësh të cilët nuk ka pse të jenë të ndershëm, por duhet vetëm të jenë ekstremisht të kujdesshëm dhe dinakë që të mos kapen.
Në përgjithësi, të tilla sundime janë edhe më mizore dhe fatale për vendet sepse hermetizojnë qeverisjet, vrasin transparencën, rrisin kostot e marketingut dhe sigurisht edhe “takstopinë”…
E kemi sqaruar më parë që “takstopia” është ajo taksa e padeklaruar që ne qytetarët duhet të paguajmë si bakshishe apo ryshfete për çdo punonjës shteti që ka ëndërr të ndërtojë pasuri personale, vila, biznese dhe pushime në Maldive a Tajlandë.
Praktikat e qeverisjes po ndryshojnë radikalisht.
Edi Rama nuk po ndërton aspak një qeverisje demokratike, të hapur dhe transparente.
Edi Rama po kalon në fazën e re, në epokën e re të qeverisjes që kalçifikon sundimin e të pakapurve.
Çdo qëndrim e fjalim i Edi Ramës duket sikur kumton pikërisht këtë mesazh: Nuk ka nevojë të jeni të ndershëm e të pakorruptuar. Thjesht duhet të jeni të pakapshëm.
Në vitin 2015, si qytetar bëra prej janarit deri në marsin e atij viti një nga betejat më të zëshme publike kundër korrupsionit në shëndetësi dhe kundër mafias farmaceutike.
3 muaj rresht, mediat shfaqën emrat e personave që unë akuzoja, madje mediat bënë edhe investigime asokohe e nxorrën një mori me dokumenta e fakte se si Ogerta Manastirliu dhe Narvina Sinani ishin kokë e këmbë të zhytura në atë mënxyrë kriminale që ndodhte tek QSUT dhe sidomos tek Onkologjiku.
Si reagoi Qeveria ndaj denoncimit tim dhe 3 muajve betejë publike?
Më turrën mua kundër gjithë bandat e grupet kriminale që më kërcënonin çdo ditë jetën dhe familjen me kobure në dorë, e njëkohësisht më vërsulën edhe “bandat mediatike” nën kontrollin e Qeverisë për të shpikur e shpifur gjithëfarësoj marrëzie e ultësie ndaj meje.
Asnjë ndryshim nuk kishin bandat kriminale me kobure nga “bandat mediatike” të Mero Bazes me shokë të cilët shpraznin në gazetat e portalet e tyre baltë e shpifje e llum pafund kundër meje.
Makineria e propagandës e Qeverisë më bëri mua, këlysh të Fatos Nanos, këlysh të Sali Berishës, këlysh të Ilir Metës, trafikant droge, burgaxhi, mashtrues, delirant, të sëmurë psiqik, e shumë e shumë çmenduri të tjera të kësollojshme.
Ia dolën mbanë më mundën e ma shuan zërin asokohe, e prej asaj beteje të janar – marsit 2015, kundër korrupsionit në shëndetësi dhe kundër mafias farmaceutike, Arian Galdini u shpall Armik Publik dhe u dënua me harresë.
Prej asaj kohe, emri i Arian Galdinit u fshi si me magji nga çdo media, madje çuditërisht nga të gjitha mediat, të majta e të djathta, qeveritare dhe opozitare, të mëdha e të vogla.
Arian Galdini nuk ekziston më për asnjë gazetë, gazetar apo studio televizive.
Arian Galdini u bë i ndaluari i madh dhe i mohuari i madh.
Kjo ishte përgjigja e parë që unë mora nga Qeveria dhe nga Mafia Farmaceutike.
Por nuk mjaftoi vetëm kjo.
Edi Rama e mori Ogerta Manastirliun dhe e promovoi nga Drejtoreshë të QSUT në Ministre të Shëndetësise e sot Ministre të Arsimit.
Ndërkohë që Narvina Sinanin, kolegen në krim e mënxyrë të Ogertës, Edi Rama e promovoi herë Zv/Drejtoreshë të QSUT e herë Drejtoreshë të AKBPM – Agjensisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
I mori në mbrojtje dhe i promovoi duke u dhënë më shumë fuqi.
Por kaluan 9 vjet dhe ja ku jemi.
Onkologjiku është bërë më keq se në 2015.
Gjithçka që lexoni e dëgjoni sot për Onkologjikun e kam denoncuar unë në 2015, por sot është bërë edhe më keq.
E përtej kësaj, e keqja është bërë më e madhe dhe më e pacipë.
Ogerta Manastirliu dhe Narvina Sinani, morrën nën kontroll AKBPM – Agjensinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe aty fëlliqën gjithçka me duart e mendjet e tyre të ndyta.
Nëse SPAK me lexon, e nëse ka sadopak ndërgjegje cilido Prokuror i SPAK, i ftoj dhe sfidoj të shkojnë e të hetojnë çfarë ka ndodhur e po ndodh në 5 – 6 vitet e fundit tek AKBPM.
I bëj thirrje SPAK të lexojë Raportin e KLSH për performancën e AKBPM të shkruar nga Alfred Leskaj, e tia nisin me hetimet që nga godina e re e deri tek laboratori atje dhe çdo praktikë e proçedurë tenderimesh, por sidomos çertifikimi barnash nga AKBPM.
Edi Rama me praninë e fjalimin e tij në QSUT, nuk u distancua nga korrupsioni e as nga zezona e barbaria e grupit të strukturuar grabitqar tek Onkologjiku.
Edi Rama thjesht u distancua i neveritur nga “të kapurit”.
Kësisoj, ne qytetarët dhe opozitarët, nuk duhet të heshtim.
Ne nuk duam qeverisje që na vjedhin e plaçkisin pa u kapur.
Ne duam qeverisje të ndershme dhe të drejta.
Koha për ngirtjen e zërit është sot.
Nëse e lëmë edhe këtë rast, si një rast lëshimi ndaj të kapurve, besomëni se sundimi i të pakapurve do ti bëjë punët e gjërat shumë më keq pas 5 apo 10 vjetësh.
Unë jam për protesta masive e të pandalshme.
Pikë.
Arian Galdini