Gazetar: Avni Tahiri
Pas reshjeve të dendura të borës në disa rajone të vendit është vështirësuar qarkullimi. Sipas informacioneve të Alsat, mbi 20 vetura janë bllokuar në rrugë në zonën e Mavrovës.
Një familje me dy fëmijë të vegjël kanë mbetur të bllokuar në rrugën përballë hotelit Radika, afër fshatit Leunovë. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, ekipet e shpëtimit janë përgjigjur menjëherë pas raportimit të ngjarjes por për shkak të reshjeve të dendura të borës dhe lartësisë së madhe të mbulesës së borës, e cila ka arritur rreth 80 centimetra, gjendja e rrugës ka qenë e vështirë. Sipas informacioneve familja është e sigurt dhe ndodhet përballë Hotel Radika teksa pret të hapet rruga që të largohen nga vendi.
“Në numrin 112 në ora 13:05 është marrë njoftim se për të tretën herë kanë telefonuar zyrtarë nga Reparti Territorial kundër Zjarreve të Gostivarit të cilët janë bllokuar me veturën e tyre zyrtare në mes të Hotel Radikës dhe Bunecit. Sipas tyre, janë edhe rreth 20 vetura tjera që kanë ngecur që nga mëngjesi aty. Ata kërkojnë nga “Rrugët e Maqedonisë” që të ndërhyjë me mekanizëm për pastrimin e rrugës, si dhe kërkojnë nga policia të ndalojë veturat sepse kolona vetëm sa është duke u shtuar. Nga Qendra rajonale për Menaxhim me Kriza-Tetovë, raportojnë se pas ankesave kanë marrë informatën se në vendin e ngjarjes ka mbërritur vetura nga “Rruga e Maqedonisë”, por për shkak të kapacitetit nuk është në gjendje t’i largojë veturat e bllokuara”, thanë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Qarkullimi në rrugët shtetërore zhvillohet në kushte dimërore ndërsa është ndaluar qarkullimin i mjeteve të rënda në vendkalimet malore Strazhë, Gjavato dhe Mavrovë ndërsa në rrugën Tetovë-Kodra e Diellit, është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve./Alsat.mk