Gazetar: Bashkim Sulejmani
Rrugë të bllokuara në Vicë e Siriqinë, makina të bllokuara nëpër rrugët e Tetovës, dhe shumë shtëpi të vërshuara, ky ishte bilanci i motit të keq që mbizotëroi mbrëmë në Tetovë.
“Kjo është pika më kritike e qytetit të Tetovës e cila pas çdo reshje shiu apo breshëri, kjo rrugë bllokohet. Ditë më parë këtu është bllokuar edhe një makinë e cila ka pasur katër persona brenda, por me ndihmën e zjarrfikësve janë shpëtuar personat dhe është tërheq makina”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
Pronarët e shtëpive për rreth kësaj rruge të cilët ishin duke pastruar bodrumet, thonë se vërshimet po shkatërrojnë shtëpinë e tyre nga themeli, ndërsa fajin e hedhin tek kazerma e qytetit, e cila me ndërtimin e murit të ri, ka mbyllur kanalin që ka çuar ujin në lumin Vardar.
“Situata mbrëmë si t`ju them ishte tepër alarmante, për pesë minuta erdhi sasi e madhe e ujit dhe na vërshoi. Falë zjarrfikësve që erdhën na dolën në ndihmë. Problemi këtu është muri i kazermës. Këtu kishte kanal, dhe që prej kohësh çonte ujin në Vardar, por pasi e bënë murin e mbyllen kanalin dhe tani gati çdo vit po vërshohemi nga uji. Shumë në rrezik e kemi shtëpinë, bodrumet kanë filluar të shkatërrohen në themele, vet betoni ka filluar të shkatërrohet më, askush deri më tani nuk është interesuar asgjë”, tha Sasho Kersteski, pronar i shtëpisë së vërshuar.
Zjarrfikësit thonë se kanë intervenuar gjatë tërë natës, me theks të veçantë në rrugët që u bllokuan, por edhe nëpër objekte banimi.
“Kemi pasur rrugë të bllokuara siç është kalimi te kazerma, nënkalimet, hyrje daljet në qytet, e gjitha rrugët e Tetovës u vërshuan sepse patëm rrebesh shiu. Bëmë edhe shpëtimin e një veture tek kazerma, ku u deshtë që personat e ngujuar të tërhiqen. Patëm gjithsej 12 intervenime. Në Vicë ka rrëshqitur dheu por me të marrë informatën ekipet tona dolën pastruan rrugën dhe është e kalueshme. Nënkalimi që shkon në Falisht dhe Strimnicë, u blloku pastaj edhe nga policia u bllokua rruga”, u shpreh Avni Ameti, shefi NJTKZ-Tetovë.
Përveç intervenimeve të zjarrfikësve, mbi 100 lajmërime për dëme të pësuara në makina dhe objekte ka pasur edhe në Qendrën Rajonale për menaxhim me Kriza.
“Varësisht çfarë dëmesh paraqiten, i evidentojmë dhe i paraqesim te komisioni apo në Polici. Numra të saktë nuk ka sepse vazhdojnë telefonatat. Tash erdha nga IPSH dhe morëm informatë se në qytet uji është i pastër i pijshëm, por në fshatrat malore uji ka marrë ngjyrë dhe është i turbullt, andaj rekomandojnë pirje të ujit të ambalazhuar apo ta valojnë ujin para konsumimit”, deklaroi Arlinda Muharremi, shefe e QRMK.
Në komunën e Tetovës, nga dje ka nisur dorëzimi i paraqitjeve të dëmeve. Deri më tani janë dorëzuar mbi 30 formularë për dëme nëpër shtëpi dhe toka bujqësore. /Alsat.mk