Gazetare: Vjollca Ahmedi
Dhjetëra shtëpi në Tearcë dhe Neproshten kanë pësuar dëme të mëdha si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme të shiut. Rrugët e të dy fshatrave janë ende të pa pastruara, ndërsa disa rrugë lokale kanë mbetur të bllokuara. Banorët thonë se për shumë pak minuta shiu depërtoi brenda bodrumeve të shtëpive të tyre, duke shkaktuar dëme materiale.
“Krejt murin ma ka rrëzuar uji, 25 metër mur, kemi pas dhe një shtëpizë të vogël, frigorifer, makinë për dru. Brenda jo por murin dhe shtëpizën po. Për dritare hyni uji”.
“Dera mbyllët ka qenë, nuk e di se nga ka hyrë uji, unë isha lart kur zbrita poshtë ishte mbushur me ujë, edhe jashtë edhe benda. E kemi pastruar me kova, nuk e di sa kova me ujë kam nxjerr jashtë. Dëmi nuk e di se çfarë do del, mund të ngrihet dyshemeja , nuk vjen menjëherë dëmi”.
“Mbrëmë kishte vërshime të mëdha, uji nga lartë hyri nëpër derë, nëpër kanalin, u zu kanali krejtësisht, u mbush kjo e gjitha. Në bodrumin e të dy shtëpive, të vëllait dhe timen si e shihni vetë, dëme plot. Nuk e di tamam por 300 deri 500 euro dëm kemi, po. Unë isha këtu në shtëpi, e kam parë gjallë. Problem është se këtu, kanali është i thellë por i mbushur me hedhurina, dhe nuk e kanë pastruar dhe shpërthen ajo”, deklaroi Qamil Qamili, banor i fshatit Tearcë.
Kreu i Tearcës thotë se ekipet kompetente kanë grumbulluar në çdo shtëpi të dhënat mbi dëmet e pësuara me qëllim që të sanohen dhe të kompensohen nga ana e komunës.
“Tash kanë ardhur të gjitha ekipet kanë filluar të dalin në terren dhe të marrin një pas një të gjitha familjet dhe objektet të cilat kanë pësuar dëmtime, të vlerësohet dëmi drejtpërdrejte dhe njëkohësisht do bëhet dhe azhurimi i të gjitha dëmeve drejtpërdrejt nga terreni”, deklaroi Nuhi Neziri, Kryetar i Komunës së Tearcës.
Banorët apelojnë që komuna të merr masa për pastrimin e kanaleve me qëllim që të mos përsëritet situata. /Alsat.mk