Resul Sinani, një nga fytyrat më të njohura televizive në vend, i cili kohë më parë braktisi profesionin e gazetarisë, për t’iu bashkuar NISMA’s për Kosovën, ka nisur rrugëtimin e tij politik me një kritikë ndaj tryezave të partive politike.
Sinani shkruan se tani nuk është koha për konsensus të tryezave, por për konsensus institucional. Kujtojmë se sot radhën për të ftuar tryezë me parti politike, e ka Partia Demokratike e Kosovës, gjë të cilën edhe e ka bërë dhe tryeza do të nis në orën 13:00.
Postimi i plotë i Sinanit në Facebook:
Nuk është kohë e konsensusit të tryezave, por kohë e konsensusit institucional!
Tryezat politike të ftuara nga partitë të cilat janë pjesë e institucioneve shtetërore, parlamentit dhe qeverisë, janë formë primitive e organizimit dhe debatit politik në krahasim me debatin brenda institucioneve, e sidomos debatit parlamentar, si institucioni më i lartë i vendit. Tryezat e tilla i takojnë shoqërisë civile, partive joparlamentare dhe organizimeve tjera shoqërore, por janë të pakuptimta të thirren dhe të organizohen nga partitë parlamentare, duke shmangur kështu tempullin e debatit politik – Parlamentin, për t’u zhvendosur nëpër salla hotelesh!
Jemi në vitin 2018, me një histori tashmë më shumë se një dekadëshe institucionesh të pavarura shtetërore, e jo në kohën e ilegalitetit, apo të kohës para shpalljes së pavarësisë, prandaj çdo tendencë për të dalë jashtë institucioneve, nuk është e kohës dhe zhvlerëson institucionet shtetërore të cilat funksionojnë në bazë të përgjegjësive kushtetuese. Pra, nuk është kohë e konsensusit të tryezave, sepse ato nuk prodhojnë asgjë dhe e tëra është vetëm humbje kohe e asgjë më shumë! Ajo për të cilën ka nevojë vendi është konsensusi institucional, ku të gjithë i nënshtrohen dhe sillen sipas rolit kushtetues që kanë: mbrenda parlamentit si pozita edhe opozita; brenda qeverisë të gjithë partnerey e koalicionit; e poashtu secili bartës instiotucional në harmoni me përgjegjësitë që ia jep kushtetuta.