Të dielën mbahen zgjedhjet parlamentare në Serbi. Këto janë zgjedhjet e para në një vend evropian pas periudhës së izolimit shkaku i pandemisë. Konservatorët në pushtet po cilësohen favoritë dhe pritet të fitojnë një shumicë të konsiderueshme.
Qendrat e votimit do të jenë të furnizuara me maska dhe dezinfektues për nevojat e votuesve. Të drejtë vote kanë rreth 6.6 milionë njerëz, por shumë prej tyre pritet të mos e shfrytëzojnë të drejtën e votës, kryesisht për shkak të frikës nga infektimi me virusin e ri, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje mund të goditet edhe nga fushata për bojkotimin e tyre, e organizuar nga disa parti opozitare, të cilat kanë thënë se votimi nuk do të jetë i lirë ose i drejtë për shkak të kapjes së fortë që presidenti Vuçiq ua ka bërë medieve.
Sipas sondazhit më të ri, Partia Popullore Serbe e Vuçiqit pritet t’i fitojë rreth 50 për qind të votave. Përkrahja për këtë parti është rritur për shkak të kënaqshmërisë rreth menaxhimit që qeveria ia ka bërë situatës gjatë pandemisë.
Në vendin e dytë pritet të dalë Partia Socialiste, e cila tash për tash është partnere e koalicionit e partisë së presidentit serb. Ajo pritet t’i marrë rreth 10 për qind të votave. Një parti opozitare, e udhëhequr nga kryetari i Beogradit, Aleksandar Sapiq, pritet të radhitet e treta në garë.