Rezultatet jozyrtare të regjistrimit në Maqedoni, 63-65% maqedonas, rreth 24.7% shqiptarë

Katër ditë deri në prezantimin e rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë. TV21 nga burime të tij në Entin e Statistikave ka mësuar një pjesë të rezultateve për numrin e banorëve rezidentë dhe jorezidentë.

Jozyrtarisht sipas burimeve, në Maqedoninë e Veriut jetojnë 1.8 milionë qytetarë. Bashkë me diasporën jemi 2.1 milionë, që nënkupton se rreth 300 mijë jetojnë jashtë vendit. Numri total i qytetarëve që kanë numra amë është 2.5 milionë.

Në aspektin e bashkësive etnike që jetojnë në vend, sipas informacioneve, nga 1.8 milionë rezidentë, rreth 63 deri 65% janë maqedonas, rreth 24.7% shqiptarë dhe rreth 10 deri në 12% bashkësi të tjera që jetojnë në vend.

Përqindjet ndryshojnë nëse në numrin e përgjithshëm të popullsisë llogariten edhe ata që jetojnë në diasporë, siç parashihet në ligj.

Bashkë me diasporën, sipas burimeve jozyrtare, maqedonas do të rezultojnë 60 deri në 62%, shqiptarë 29.5%, ndërsa pjesëtarë të bashkësive të tjera etnike 8 deri në 10%.

Nuk dihet nëse këto numra bënë që ditë më parë, drejtori i Entit të Statistikave Apostoll Simovski, si me shaka të thotë se do të shpallet “armik shtetëror”.

“Aspak nuk do t’ia vë veshin kritikave, jam i vetëdijshëm. E di se muajin e ardhshëm do të jem armiku numër një shtetëror”, deklaroi më 17.03.2022, Simovski.

TV21 mëson se ditë më parë, Enti i Statistikave ka marrë kërcënime nga grup qytetarësh se do të shkaktojnë incident në ditën e prezantimit të rezultateve të regjistrimit. Të pyetur për këtë, nga Ministria e Brendshme na thanë se nuk kanë marrë asnjë denoncim nga Enti.

Krahas kësaj, një çështje tjetër për të cilën mëson TV21, është edhe tërheqja e ftesës që Enti i ka dërguar ambasadorit rus, Sergei Bazdnikin, për pjesëmarrje në ditën e prezantimit të rezultateve.

TV21 mëson se këto ditë deri tek Ambasada ruse është dërguar letër, e shkruar në Ministrinë e Jashtme, në të cilën në mënyrë diplomatike kërkohet që ambasadori Bazdnikin të mos marr pjesë në prezantimin e rezultateve. Për këto e pyetëm Drejtorin e Entit të Statistikave, Apostoll Simovski, i cili i konfirmoi se “të ftuara kanë qenë të gjitha ambasadat sipas protokolleve, para se shteti t’i ngrijë raportet me atë ruse”. “Kur kjo ndodhi, e tërhoqëm ftesën”, përfundoi Simovski./TV21

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme