Debati i hapur lidhur me ndërtimin e xhamisë së madhe në kryeqytetin e Kosovës ka qenë një prej temave më të përfolura dhe komentuara. Madje, kjo temë ka tejkaluar për nga rëndësia edhe zhvillimet politike. Derisa Kosova vazhdon të mos ketë Qeveri, ndërsa mandatarët i kanë diskutabile numrat, ka mjaftuar një peticion i një grupi qytetarësh për mos ndërtimin e xhamisë në versionin e paraqitur që të hap diskutime të shumta pro dhe kundër.
Lidhur me këtë temë, portali Sakte.net në bashkëpunim me portalin Almakos.com kanë realizuar sondazhin nëse duhet ose jo të ndërtohet xhamia e re në Prishtinë. Sondazhi ishte i hapur 24 orë, ndërsa në të morrin pjesë rreth 3.410 persona.
Në pyetjen “A duhet të ndërtohet xhamia e madhe në Prishtinë?”, 3.300 lexues kanë votuar me PO. Një pjesë e konsiderueshme e atyre që kanë votuar me “JO” kanë shprehur bindjen se nuk janë kundër xhamisë, por kundër modelit të prezantuar. Kundër kanë votuar 110 persona.
Ndërtimi i xhamisë së madhe në Prishtinë sipas përfaqësuesve të BIK, pritet të nis në pranverën e vitit të ardhshëm, ndonëse ky projekt do të duhej të fillonte së ndërtuari në tetor të vitit të kaluar.
Vlera e përgjithshme e projektit pritet të jetë 20 milionë euro./Sakte.net