Kuvendi mbrëmë miratoi riformatimin e Qeverisë dhe zgjodhi tetë ministra të rinj, duke shënuar zyrtarisht fillimin e një faze të re në punën e kabinetit qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski. Megjithatë, në vend që vëmendja të përqendrohej vetëm te ndryshimet kadrovike, seanca u karakterizua nga përplasje të ashpra politike, fyerje, akuza të ndërsjella dhe kërkesa për falje, për shkak të të cilave një pjesë e opozitës e braktisi sallën e Kuvendit.
Kuvendi, me 69 vota “pro”, pa asnjë votë “kundër” apo “të përmbajtur” mbrëmë votoi Ministrat e rinj.
Ministër i ri i Drejtësisë u zgjodh Jeton Shasivari nga koalicioni VLEN, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Borçe Serafimovski nga Lëvizja ZNAM, ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Agon Ferati nga VLEN, ministër i Shëndetësisë Sasho Klekovski nga VMRO-DPMNE, ministër i Turizmit dhe Kulturës Sedat Sulejmani nga VLEN, ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Gjoko Velkovski nga VMRO-DPMNE, ministër i Vetëqeverisjes Lokale Ivan Stoilkoviq nga Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni, ndërsa ministër pa resor Erxhan Demir nga VMRO-DPMNE.
Riformatimi i Qeverisë u shoqërua me një debat të tensionuar mes pushtetit dhe opozitës. Në fund të seancës, kryeministri Hristijan Mickoski u kërkoi falje deputetëve dhe qytetarëve për ngjarjet që shënuan seancën parlamentare.
Megjithatë, nga opozita kërkojnë që kryeministri t’u kërkojë falje drejtpërdrejt qytetarëve.
Në shenjë revolte, pasi nuk morën kërkimfalje nga Ivan Stoilkoviq, deputetët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët e braktisën seancën para votimit për ministrat e rinj.
Sipas opozitës, pas koordinimit me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, ishte arritur marrëveshje që të miratohej një konkluzion për të dënuar sjelljen e Stoilkoviqit, por një hap i tillë nuk u realizua.
Akoma pa nisur mandatin si ministër për Vetëqeverisje Lokale, Ivan Stoilkoviq dëshmoi edhe një herë pse është llumi i kësaj qeverie. Me sjelljen e tij në Kuvend nuk meriton as vëmendje, e aq më pak duartrokitje! Në këtë mënyrë ka reaguar Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.
ARBANA PASHOLLI – BDI
Nëse pjesëtari i komunitetit prej 1% mund të udhëheqë me gjithë pushtetin lokal, atëherë çdo argument kundër një Kryeministri Shqiptar rrëzohet automatikisht, ishte mesazhi nga foltorja e Kuvendit e Deputetes së Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti.
ILIRE DAUTI – Lidhja Shqiptare
Kanë reaguar edhe nga VLEN.
Përmes një komunikate thonë se VLEN po hyn në një fazë të re të qeverisjes me përgjegjësi të shtuar dhe me kuadro që mishërojnë profesionalizmin, dijen dhe integritetin.
VLEN
VLEN nga ky rikonstruim del edhe më i fortë politikisht, me gjithsej 6 ministri (vazhdojmë fuqishëm me kuadrot tonë edhe në Ekonomi, Mjedis Jetësor dhe Eurointegrime), si mision për të ndërtuar institucione më të forta dhe për t’u shërbyer qytetarëve me ndershmëri.Ky nuk është thjesht një ndryshim emrash. Është një mesazh i qartë se institucionet duhet t’u shërbejnë qytetarëve, jo interesave partiake. Është fundi i logjikës së privilegjeve dhe fillimi i një qasjeje që matet me punë, rezultate dhe përgjegjësi.
Ndryshe, Riformatimi i Qeverisë ndodh në gjysmën e mandatit të kryeministrit Hristijan Mickoski.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë me një qëndrim të ashpër pas fyerjeve që Ivan Stoilkoviq i drejtoi deputetes Arbana Pasholli, duke theksuar se kjo sjellje zbulon thelbin e marrëdhënies së ekzekutivit me përfaqësuesit shqiptarë. Nga partia kërkojnë që kryeministri të marrë përgjegjësi dhe të flasë publikisht për rastin.
Sipas BDI-së, fjalët fyese të Stoilkoviqit nuk janë një episod i veçuar, por shprehin frymën e një koalicioni qeverisës VMRO-VLEN-ZNAM, i cili në vend që të respektojë zërin legjitim shqiptar, e nëpërmjet këmbëve dhe i zgjedh aleatët mes atyre që nuk gëzojnë mbështetje popullore, as zë e as dinjitet.
Më tej, BDI e cilëson edhe më të rëndë faktin që ky avancim në detyrë u bë i mundur falë votave të deputetëve të VLEN-it. Ata nuk kanë të drejtë të shfaqen si mbrojtës të interesave shqiptare, teksa mbështesin ngritjen e një politikani që shpreh hapur qëndrime armiqësore dhe fyese ndaj shqiptarëve. Heshtja dhe vota e tyre përbëjnë bashkëpërgjegjësi politike, nënvizohet në komunikatë.
“Sot objekt i sulmit verbal ishte një deputete shqiptare. Nesër, me të njëjtën logjikë, do të goditet çdo zë që nuk i shërben kësaj qeverie. Ndaj kjo nuk ka të bëjë vetëm me Arbanën, por me dinjitetin e gjithë grave në politikë dhe të përfaqësimit politik të shqiptarëve”, thuhet në reagim.
BDI i shpreh solidaritet të plotë deputetes Pasholli dhe kërkon që përgjegjësia politike të merret menjëherë. Kryeministri nuk mund të rrijë në heshtje përballë kësaj sjelljeje, pasi çdo heshtje do të lexohet si miratim i saj. Ekzekutivi duhet të dalë para qytetarëve dhe të tregojë nëse gjuha e urrejtjes, ofendimet dhe poshtërimi i deputeteve shqiptare janë standardi i ri politik që ai promovon.
Në fund, BDI paralajmëron se shqiptarët nuk do të lejojnë që të fyerit e përfaqësuesve të tyre të kthehet në normalitet, ndërsa ata që i kanë dhënë votën të shndërrohen në shikues pasivë apo bashkëpunëtorë të një degradimi të tillë politik.
Deputetët opozitarë mbajtën një konferencë urgjente për media për të dënuar sjelljet skandaloze që tronditën seancën parlamentare, të cilat i konsideruan si goditje direkte ndaj vlerave demokratike dhe etikës më elementare të institucionit.
Burime brenda Kuvendit raportojnë se në hapësirën e klubit të ligjvënësve, kandidati për postin e ministrit, Ivan Stoilkoviç, ka ofenduar ashpër deputeten e opozitës me origjinë shqiptare, Arbana Pasholli nga radhët e BDI-së, duke përdorur një gjuhë tejet denigruese. Si pasojë e këtij veprimi, kolegët e pranishëm ndërhynë menjëherë dhe e larguan nga ambienti.
Sipas përfaqësuesve të opozitës, acarimi i dukshëm i Kryeministrit Hristijan Mickoski dhe i të nominuarit për ministër, Ivan Stoilkoviç, ishte evident gjatë debatit mbi dështimet dhe fiaskon e administratës në këto dy vite qeverisjeje.
“Thelbi i demokracisë qëndron te aftësia për të pranuar kritikat dhe mangësitë, duke nxjerrë mësime prej tyre. Megjithatë, në Maqedoni duket se ekziston bindja se duke i sulmuar ata që evidentojnë problemet, do të keni përmirësim të rezultateve”, u shprehën gjatë konferencës.
Fillimisht, gjuha fyese u drejtua kundër dy përfaqësuesve të LSDM-së – zëvendës-koordinatorit Fatmir Bitiki dhe deputetit Mitko Trajçuleski. Por ngjarjet që pasuan pezullimin e seancës morën një tjetër përmasë, duke u shndërruar në një agresion të mirëfilltë, jo thjesht gojor, por të mbushur me epitete poshtëruese nga ana e Ivan Stoilkovikut.
“Një sjellje e tillë nuk i shkon për shtati dikujt që synon të marrë postin e ministrit me votën e këtij Kuvendi. As kolapsi ekonomik, as shkatërrimi i bujqësisë, as politikat sociale të dështuara, e as bllokimi i rrugëtimit evropian nuk mund të mbulohen përmes sulmeve mbi opozitën dhe ligjvënësit”, shtuan më tej.
Folësit shprehën një shqetësim të thellë lidhur me pasivitetin e Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, i cili nuk ndërmori asnjë veprim, ndonëse e kishte për detyrë të ndërhynte në cilësinë e drejtuesit të seancës dhe në bazë të Kodit Etik të aprovuar nga vetë parlamenti.
“Presim një ndjesë publike. Asnjë individ nuk duhet t’i nënshtrohet fyerjeve, kërcënimeve apo gjuhës së rëndë. Këtë reagim e kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, për të dëshmuar se mban pozitën e të parit mes të barabartëve”, përmbyllën ata.



