Gazetare: Fatlume Dervishi
Një konsensus deklarativ i tre koalicioneve më të mëdha politike për ndryshim të modelit zgjedhor është përsëri në horizont, pas konfirmimeve nga takimi i liderëve një ditë më parë. Në prag të fillimit të punës me një Kod të ri zgjedhor, partitë u deklaruan të gatshme për të diskutuar edhe për ndryshimin e modelit zgjedhor, gjegjësisht zbatimin e një njësie zgjedhore me lista të hapura të kandidatëve për deputetë.
“Pajtohemi me një zonë zgjedhore, me prag prej 5% dhe me lista të hapura” , tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
BDI-ja ndryshoi fillimisht mendim në maj të vitit 2023, shumë vite pasi kishte qenë ithtare e modelit aktual zgjedhor me gjashtë njësi. Më herët partia e Ahmetit kishte deklaruar se me ndryshimin e modelit me gjashtë njësi, humbës janë shqiptarët.
“Mendoj se modeli zgjedhor me gjashtë njëri zgjedhore më së miri e pasqyron strukturën heterogjene të shoqërisë tonë. Ne do të vazhdojmë bisedimet si BDI por nuk do të lejojmë që të bëhet majorizimi ose mbivotimi i ndonjë partie nga ndonjë parti tjetër”, pati thënë Vjollca Ademi, BDI.
Përpara BDI-së, kthesë nga qëndrimi shumëvjeçarë kishte edhe në VMRO-DPMNE.
“Folëm për Kodin zgjedhor dhe numrin e njësive zgjedhore dhe mënyrën e votimit të diasporës…”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Mickoski një ditë më parë nuk dha detaje, mirëpo në negociatat e mëhershme, kishin pranuar modelin me një njësi.
“VMRO-DPMNE pranon model zgjedhor me një njësi zgjedhore, sepse kjo do të sjellë barazi të votës në çdo komunë dhe në të gjithë territorin e Maqedonisë dhe i bëj thirrje qeverisë që të dalë me një zgjidhje të tillë”, u shpreh Antonio Miloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
VLEN nuk ka akoma një vendim se cilin model mbështet, duke qenë se partitë që janë pjesë e koalicionit kanë pasur qëndrime të ndryshme më herët. Por, duket se ka një mendim përgjithsisht pozitiv për listat e hapura për deputetë.
“Nuk ka ndonjë model për të cilin unë jam i bindur se është më i miri. Secili model ka anë pozitive dhe negative.
Po për idenë e listave të hapura keni dilema nëse është mirë të zbatohet ose jo?
Personalisht jam pro idesë së listave të hapura. Edhe kur kam qenë kryetar partie kam qenë pro. Kjo e dobëson fuqinë e liderit dhe neve na duhen parti me demokraci më të fuqishme të brendshme dhe liderë me pushtet më të dobët” , tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit, VLEN.
LSDM-ja nuk mori pjesë në takim. Por, modeli me një njësi dhe lista të hapura ka qenë pjesë e programit të tyre politik që në zgjedhjet e vitit 2016.
“Një njësi zgjedhore është në programin e LSDM-së. Ne jemi për një njësi zgjedhore, por natyrisht të gjitha ndryshimet duhet të miratohen me konsensus”, u shpreh Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës kërkon modelin me tetë njësi zgjedhore, aq sa janë rajonet zhvillimore. Sipas tyre, modeli me një njësi, pa vende të garantuara për shqiptarët, do të ishte në dëm të përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvend.
Një propozim konkret në Kuvend për ndryshim të modelit zgjedhor arriti në Kuvend në vitin 2021 si iniciativë e partive më të vogla që ishin në koalicion me LSDM-në. Një nga propozuesit, kreu i Lidhjes Demokratike Pavlle Trajanov tha se partitë e vogla kërkojnë një njësi por pa prag zgjedhor. Sipas tij, nëse ka prag, as BDI-ja dhe as partitë tjera shqiptare, pa koalicion, nuk do të kalonin pragun./ Alsat.mk



