Rihapja e çështjes “21 janari”/ “U thanë se djalin e vrau i besuari i Berishës!” -Gazetari Artan Hoxha: Nuk kam pasur besim në prokurori! Materiali i ri do dorëzohet vetëm në SPAK

Gazetari Artan Hoxha ka folur mbi rihapjen e dosjes së 21 janarit, e marrë tashmë përsipër nga Prokuroria e Posaçme, duke zbuluar kështu se ekzistojnë materiale të reja në lidhje me çështjen.


I ftuar në rubrikën “Kjo Javë” në News 24, Hoxha u shpreh se posedon materiale në lidhje me çështjen tragjike, por materiali nuk është dorëzuar në asnjë moment në Prokurorinë e Tiranës.

Hoxha sqaron se pas disa komunikimesh që ka pasur me këtë institucion, së bashku me familjarët e Aleks Nikës, nuk ka krijuar bindjen se Prokuroria e Tiranës mund t’i besohet sensitivitetit të këtyre materialeve të reja.

Për këtë arsye, këto të dhëna të mistershme deri më tani, do të dorëzohen vetëm në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, në momentin që kjo Prokurori do e thërrasë gazetarin.

Më herët Hoxha u shpreh bindshëm se personat që janë përgjegjës për 21 janarin, janë siguruar për fshehjen e provave.

Gazetari solli një ngjarje të ndodhur me familjen Nika, teksa një person u ka treguar familjarëve të viktimës, foton e një komandanti të rëndësishëm në gardë të vitit 2011.

Sipas atij personi, komandanti që ndodhej në foto, ishte përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës.

E gjithë kjo u përcoll si informacion nga familja Nika tek gazetari Hoxha, por ky i fundit i siguroi se nuk është ai personi përgjegjës për ngjarjen e rëndë.

Artan Hoxha shpjegoi se personi në foto ishte njeri i besuar i Berishës, por nuk kishte lidhje me vrasjen.

“Ata që kryen 21 Janarin ishin kujdesur të fshihnin provat. Pasi kam siguruar materialin e kam identifikuar nëse është origjinal. Për shkak të kontaktit me familjen e Aleks Nika, kisha një detyrim qoftë edhe moral që t’i shpjegoja babait të Aleksit që kishte një material të ri.

Disa njerëz kishin shkuar më para në familjen Nika dhe i kishin treguar një foto të një personi tjetër, me detyrë komandant i rëndësishëm në gardë në 21 janar dhe u thanë djalin ua ka vrarë ky. Kjo ishte e rrezikshme, sepse flasim për një familje me traditë dhe origjinë nga veriu. Kjo mund t’i shtynte drejt hakmarrjes nëse s’do kishte veprim nga drejtësia. U thashë që informacioni nuk ishte i vërtetë.

Personi në fjalë ishte njeri i besuar i Berishës, por nuk kishte lidhje.

Unë dhe familjarët e Aleksit kemi folur në Prokurorinë e Tiranës dhe nuk kam pasur asnjë moment besim te prokuroria. Ndaj nuk e kam dorëzuar materialin. Kemi rënë dakord edhe me familjen që materialin e dorëzojmë vetëm në SPAK. Në momentin që do më thërrasë SPAK do e vë në dispozicion. 21 Janari nuk mund të hetohet për atë që ka ndodhur, por duhet një hetim shterues”, u shpreh ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme