Rikthehet ministri pa resor për diasporën

 Në përbërjen e ardhshme qeveritare rikthehet posti i ministrit pa resor i angazhuar për diasporën, përskaj tre zv/kryeministrave të cilët po ashtu zyrtarisht janë ministra pa resor, poste që ekzistojnë edhe në qeverinë që është në largim. Mandatari për formimin e Qeverisë ka propozuar gjithsej katër ministra pa resor.

Ministrat pa resorë
– Fatmir Bytyqi – ministër pa resor – zv/kryeministër për çështje ekonomike
– Sllavica Gërkovska – ministre pa resor – zv/kryeministre për luftë ndaj korrupsionit
– Bojan Mariçiq – ministër pa resor – zv/kryeministër për eurointegrime
– Xhemail Çupi – ministër pa resor – i angazhuar për diasporën

“Sipas ligjit, emërohen si ministra pa resor dhe ashtu ka qenë edhe deri më tani. Pastaj me vendim të qeverisë u ndahet fushë në të cilën janë bartës”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, mandatar për kryeministër.

Por pushteti aktual kishte kritikuar atë të kaluarin për pozitat e ministrave pa resor, duke i konsideruar ata si të panevojshëm dhe ngarkesë financiare shtesë. Megjithatë gjatë ardhjes në pushtet në vitin 2017, Zaev angazhoi 7 ministra pa resor. Tre prej tyre ishin të angazhuar për investime të huaja, një për transparencë, një për diasporën, një për përmirësimin e gjendjes së romëve dhe një për investimet e kompanive vendase. Në këtë llogari nuk përfshihen zv/kryeministrat. Në qeverinë e formuar pas zgjedhjeve të vitit 2020, Zaev tha se përfundimisht hiqen ministrat pa resorë.

Sipas analistit Bllagojçe Atanasovski, pozitat e ministrave pa resor shpiken për të kënaqur partnerët më të vegjël në pushtet para së gjithash nga bashkësitë më të vogla etnike.

“Absolutisht nuk do të ketë nevojë për ministri pa resor sepse ata do të jenë ngarkesë për buxhetin e shtetit, gjegjësisht të të gjithë qytetarëve. Nga ana tjetër, vlerësoj se edhe pozitat e zv/kryeministrave në përbërjen qeveritare krijohen për t’u plotësuar disa pozita ministrore me të cilat duhet të kënaqen ambiciet e disa politikanëve. Rekomandimet madje shkojnë në atë drejtim që edhe disa ministri të bashkohen në një vend me qëllim që të jenë më efektive dhe më efikase dhe të punojnë vetëm për interesat e qytetarëve dhe të mos e rëndojnë administratën”, deklaroi Bllagojçe Atanasovski, analist.

Një ministër merr mesatarisht nga 65 mijë deri 71 mijë denarë rrogë mujore. Ministrat pa resor kanë nga një zyrë në qeveri dhe pak njerëz që punojnë në kabinetin e tyre por gëzojnë të gjitha përfitimet e pushtetit./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme