Numri i personave me grip dhe sëmundje të ngjashme me gripin është rritur për 41,6 për qind krahasuar me 13 sezonet e kaluara, njoftoi paraditen e sotme Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në raportin për gjendjen e gripit në vend. Javën e kaluar është regjistruar një vdekje në Shtip, nga grupmosha mbi 65 vjeç, pa sëmundje shoqëruese dhe personi ka rezultuar pozitiv me Covid 19, transmeton Portalb.mk.
“Krahasuar me javën e 42 të sezonit të kaluar, është regjistruar një rritje prej 96.3 për qind. Deri në këtë javë janë raportuar gjithsej 151 raste me grip. Po ashtu, po monitorohet gjendja me infeksione të rënda akute respiratore, kështu që këtë javë janë raportuar gjithsej 32 raste të tilla në Shkup dhe Shtip. Numri më i madh i këtyre rasteve janë raportuar nga Instituti për sëmundje të mushkërive te fëmijët – Kozle, ndërsa sa i përket shpërndarjes moshore, numri më i madh i rasteve janë fëmijët nën moshën 4 vjeçare”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.
Sipas raportit ERVISS (European Respiratory Virus Surveillance Summary) i publikuar për javën e 41-të, aktiviteti i virusit të influencës është mbi nivelin bazë në 8 vende të Rajonit Evropian të OBSH-së. Krahasuar me javën e 40-të, virusi i gripit mbetet në aktivitet të ulët, ndërsa aktiviteti i RSV dhe SARS-CoV-2 vazhdon të rritet.
Për sezonin 2023/2024, Ministria e Shëndetësisë ka ofruar një vaksinë katërvalente falas në një sasi totale prej 60 mijë dozash, të destinuara për grupet prioritare të popullsisë. 15,000 doza shtesë të vaksinës katërvalente janë siguruar përmes një donacioni nga PIVI (Partnership for Influenza Vaccine Introduction).
Vaksinimi kundër gripit sezonal ka nisur dje dhe do të kryhet në Qendrat e Shëndetit Publik me njësitë e tyre rajonale dhe/ose shtëpitë shëndetësore. Vaksinimi i punonjësve shëndetësorë do të kryhet në Institutin e Shëndetit Publik. Terminet për vaksinime falas bëhen përmes faqes së internetit www.vakcinacija.mk.