Rohde: Banjska ka ndryshuar gjithçka – do kemi konflikt të ngrirë nëse Serbia s’e njeh Kosovën

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ka ndryshuar gjithçka dhe se nëse Serbia nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, do të ketë një konflikt të ngrirë.

Në një intervistë për Kosova Online, ai ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ku ka thënë se kjo çështje është obligim që Kosova duhet ta përmbushë, raporton Klan Kosova.

“Po. Ky është një obligim i Kosovës nga viti 2013 dhe 2015, i cili ende nuk është realizuar. Ju i keni parë njoftimet e Quintit, por edhe të Gjermanisë, çfarë kemi thënë publikisht. Kosova ka deklaruar se është e gatshme ta pranojë këtë propozim të përfaqësuesit special të BE-së, të cilin ne e mbështesim plotësisht. Siç e dini, Serbia deri më tani ka refuzuar të nënshkruajë dhe tani jemi në ngërç. Lajçak po punon shumë për ta tejkaluar këtë situatë, sepse në fund na duhet një zgjidhje që të gjitha institucionet paralele të integrohen dhe që serbët në Kosovë të ndihen si në shtëpinë e tyre si pjesë e shoqërisë. Jo vetëm ata, por të gjithë duhet të ndihen si në shtëpinë e tyre. Dhe për të përshpejtuar rrugën evropiane, sepse të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, i përkasin BE-së”, ka thënë ambasadori gjerman.

Ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ai e ka cilësuar si sulm terrorist duke thënë se kjo nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar.

“Banjska ndryshoi gjithçka. Ishte një sulm terrorist. Këta nuk ishin qytetarë të pakënaqur, ata kishin raketahedhës, automatikë, granata… Jemi ende në kërkim të autorëve të dyshuar që duhet të dalin para drejtësisë. Milan Radoiçiq e pranoi përgjegjësinë, por ende nuk ka llogaridhënie, ne nuk mund ta pranojmë parimin e mosndëshkimit, nëse bën një krim, duhet të sillesh para drejtësisë. Shpresojmë se Serbia është duke punuar në këtë. Personalisht, nuk do të kisha mundur ta imagjinoja se do të ndodhte diçka e tillë, dhe për këtë arsye NATO e shtoi praninë e saj dhe Gjermania do të bëjë të njëjtën gjë me një kontingjent të ri nga maji. Ajo që duam është paqe dhe stabilitet. Sulmet si ky janë saktësisht e kundërta e kësaj. Nëse nuk dënohen autorët e sulmit në Banjskë, si mund të rritet besimi mes dy vendeve. Ishte një incident tejet i rëndë  dhe autorët duhet të ndëshkohen”, është shprehur Rohde.

Duke folur për integrimin evropian, ai ka theksuar se nëse Evropa nuk vjen në rajon dhe nëse rajoni nuk i bën detyrat e shtëpisë, njerëzit do të ikin për në Evropë.

“Shtrohet pyetja se çfarë ndodh nëse nuk ka përparim, atëherë do të ketë një konflikt të ngrirë. Unë gjithmonë them se nëse Evropa nuk vjen në rajon dhe nëse rajoni nuk i bën detyrat e shtëpisë, njerëzit do të  ikin për në Evropë. Unë shoh demografinë e gjithë Ballkanit Perëndimor – Serbia ka humbur një milion njerëz në 10 vitet e fundit, Bosnja po humb njerëz, shkalla e migrimit në Kosovë është gjithashtu e lartë. Ne kemi nevojë që njerëzit të kenë shpresë se gjërat do të përmirësohen dhe të mos mbeten të ngrirë në konflikt. Liderët politikë duhet të gjejnë kompromise”, ka thënë ambasadori Jorn Rohde.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme