Roma e Mourinhos sërish në Tiranë, për një miqësore me Partizanin.
Roma e Jose Mourinhos do të zbarkojë sërish në Tiranë, aty ku vitin e kaluar shkroi historinë duke e fituar trofeun e Ligës së Konferencës.
Skuadra italiane më 12 gusht do të zhvillojë një ndeshje miqësore me kampionin e Shqipërisë, Partizanin, shkruan Gazeta Express.
Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, nga ora 20:00.
Por, përveç ndeshjes së futbollit, në kryeqytetin shqiptar do të ketë edhe befasi edhe të tjera.
Kjo u bë e ditur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare.
Rama zbuloi se Mourinhos, siç e quan ai “zotnia i Romës”, do t’i bashkohet edhe reperi i njohur shqiptar, Rigels Rajku.
“Zotnia i Romës & Çuni i Tironës bashkohen në Air Albania Stadium ekskluzivisht për një spektakël miqësie me top dhe rep”, shkroi kryeministri shqiptar.