Rrëfimi i emigrantit nga Londra për udhëtimet me gomone: Pronarët e vërtetë janë kurdët, shqiptarët grumbullojnë njerëzit!

Prej më shumë se një muaji, të gjitha strukturat e sigurisë dhe thuajse pjesa më e madhe e politikës së Britanisë së Madhe e ka kthyer çështjen e refugjatëve shqiptarë në kryefjalë. Jepen shifra të shkuarish me gomone, numrat gjithnjë e në rritje të personave që kanë prirje kriminale, të bosëve të drogës që i kanë kthyer shtëpitë e barit në burim fitimesh kolosale e shumë detaje të tjera.

Por asnjëherë nuk flitet për mënyrën se si trafikohen këta persona dhe se si i kalojnë ditët e kampeve në disa qytete të Anglisë. Autoritetet shqiptare heshtin për gjendjen kaotike në të cilën vendosen shqiptarët, të cilët nisen në drejtim të Anglisë vetëm me një premtim; vend pune të sigurt.

Ata nuk marrin parasysh rrezikun që iu kanoset, as shifrën e çmendur të borxhit që iu duhet të mbërrijnë në punën e premtuar, por nisen kuturu për t’i besuar fatit të pashmangshëm që kanë projektuar për veten.

RRUGËTIM I DËSHMUAR

Arturi është një djalë që ka mbërritur në Angli 2 vite më parë. Ai ka mundur të sigurojë qëndrim të përkohshëm në Londër, me anë të një kontrate pune, por duke qenë se është përgjatë gjithë kohës në komunikim me shqiptar që mbërrijnë atje, është kthyer në një ekspert të çështjes së tyre.

Ai dëshmon për gazetën “Panorama” fakte dhe të dhëna që në fakt nuk dëshmohen nga qindra shkrime që botohen çdo ditë në mediat vendase, që nga mënyra se si është organizuar trafiku, kush janë të zotët e këtij trafiku, çfarë i pret refugjatët në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti kur mbërrijnë në brigjet angleze, si mbahen në kampe dhe si nxirren nga aty?

Po ashtu ai dëshmon edhe mbi qasjen e egër që ka ndërmarrë aktualisht politika britanike ndaj dukurisë së emigracionit duke vënë në shënjestër kryesisht shtetasit shqiptarë.

“Jo, pse shqiptarët janë më të rrezikshmit, as më kriminelët, por është një tendencë e Konservatorëve që ta ndalojnë emigracionin pasi duan ta menaxhojnë vetë dhe me shtetet që ata duan. Si duket Shqipëria nuk është në planet e tyre për t`ju pranuar refugjatë edhe pse ne jemi njerëzit më punëtorë që hyjmë në tokën e tyre. Ose më saktë që bëjmë çdo lloj pune të rëndë. Pra, ne këtu jemi skllevër modern edhe kur jemi me leje qëndrimi, letra apo pasaporta, sido që të jetë një shtetas shqiptar”.

TRAFIKU

“Atë e organizojnë kurdët. Ata janë pronarët e vërtetë. Shqiptarët shërbejnë thjesht për grumbullimin e njerëzve. Asgjë nuk është ashtu siç thuhet. Ama diçka është e sigurt; rojet bregdetare franceze dhe ato angleze në momentin që pikasin gomonet me njerëz në ujëra futen dhe të paktën iu sigurojnë jetën. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi shqiptarët nuk rrezikojnë të vdesin më”.

Arturi tregon se shqiptarët që mbërrijnë në Francë janë të shumtë. Dhe zakonisht bëhen disa persona bashkë për të qenë më të sigurt. Në momentin që bëhen gati për nisje, merren gomonet që janë në një zonë pylli dhe vetë personat që do të nisen e fryjnë me anë të pompave. Pra trafikantët vetëm iu sigurojnë mjetin e shfryrë dhe emigrantët nxitojnë të ngjiten në të për të mos u pikasur nga rojet franceze në tokë.

“Është një rregull i vendosur nga policia franceze që nëse i kap në tokë i kthen, ndërsa nëse i pikas edhe të sapo nisur nuk i ndalon më, por i shoqëron deri në ujërat angleze, aty ku më pas situata merret nën kontroll nga rojet bregdetare të Anglisë”.

Sipas të dhënave, nisjet zakonisht realizohen pas orës nëntë të mbrëmjes. Udhëtimi është 12-13 orë. Sapo të zbresin në tokën britanike ata i pret policia kufitare dhe të gjithë përfundojnë në kampe. Aty qëndrojnë me nga dy-tre javë dhe më pas, kur numri rritet, sipas të dhënave ata shpërndahen.

Në rastin konkret shqiptarët, mësohet se zakonisht nxirren nga kampi nga personat që i presin të cilët kontaktohen vetëm me anë të një telefoni kabine të kontrolluar nga rojet e kampit apo qendrës së refugjatëve siç i quajnë autoritetet vendase.

KAMPET, VENDI KU GRUMBULLOHEN TË SHKUARIT

Arturi tregon se janë disa kampe në të cilat strehohen për një kohë të caktuar personat që vijnë në rrugë të paligjshme në Britani. Sipas tij ai që [pret shqiptarët kryesisht është kampi i Doverit, i cili dy muajve të fundit ka rezultuar i tej mbushur dhe në fakt autoritetet e kampit kanë përshpejtuar nxjerrjen jashtë të refugjatëve.

Sipas dëshmive të shqiptarëve që kanë jetuar për disa ditë në këtë kamp mësohet se në qershor dhe korrik kanë hyrë nga Franca çdo ditë rreth 250-300 persona. Mësohet se kampet në të cilët vendosen këto emigrantë janë kampi në Dover, kampi në Crickelwood dhe një tjetër në Gatwick Traice House.

Por ajo që bie në sy në lidhje me këto kampe në të cilën mbahen shtetasit e huaj që synojnë tokën britanike është fakti që ata në momentin që mbërrijnë në kamp nuk kanë mundësi të mbajnë asnjë gjë personale.

Ata madje mësohet se dorëzojnë edhe telefonat celularë dhe mund të realizojnë një telefonat me një person pritës apo me familjen e tyre. Ata flasin me anë të kabinës ku në fakt të gjithë pjesën e qëndrimit në kampe e marrin përsipër vetë ata. Pra autoritetet britanike janë kujdesur që asnjë detaj nga kampet e refugjatëve të mos bëhen publike.

Shqiptarët mësohet se pasi lënë shenjat e gishtërinjve aty dhe japin një adresë të saktë ku duan të shkojnë, ose afrohet dikush që del garant për ta, autoritetet përgjegjëse të kampit u japin një fletë azili për ditët që kanë qëndruar aty dhe më pas i përzënë deri në momentin që ndonjë prej tyre bëhet pjesë e aktiviteteve kriminale që ta dënojnë dhe të ekstradojnë drejt vendit të tyre.

REKRUTIMI

Arturi tregon edhe mënyrën se si shqiptarët janë bërë personat më në zë të shtëpive të barit dhe se si nis rekrutimi i shqiptarëve nëpër shtëpitë e barit. Sipas tij shtëpitë e barit aty kanë qenë edhe më herët.

“Shqiptarët, refugjatët, ata që mbërrijnë për punë të tillë, në fakt janë peng i borxhit që është dhënë për sjelljen e tyre këtu. Nuk është shifër e vogël po shkon diku te 20- 30 mijë paund, pasi vetëm kohëve të fundit kanë pësuar pak ulje çmimet e rrugës. Ndaj shqiptarët janë të detyruar të punojnë për personat që iu sigurojnë mundësinë e mbërritjes pa paguar asgjë përveç parave të rrugës.

Pastaj nis kalvari i gjatë i tyre sepse janë të rrallë ata që i paguajnë si duhet dhe sa ata kanë menduar duke i detyruar të jenë të lidhur me borxhin e tyre, por kjo në fakt është më shumë çështje s shqiptarëve që merren me këtë punë.

Ata që drejtojnë ‘shtëpi bari’ në Angli, kryesisht shqiptarë ndërhyjnë edhe në kamp me persona që kanë mundësi për të hyrë garant dhe në fakt rekrutimi nis që në kampin e refugjatëve, të cilët nxirren nga aty dhe më pas nuk dihet se çfarë ndodh me jetën e tyre”, përfundon Arturi, një pjesë të rrëfimit të tij për gjithçka ndodh në rrugëtimin e rrezikshëm të shqiptarëve drejt një vendi pune të sigurt, punë që nuk e gjejnë dhe nuk janë të sigurt që mund ta gjejnë ndonjëherë në vendin e tyre! /panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme