Para gati pesë muajsh, rrugët e Prishtinës u përgjakën kur një 20-vjeçar, që po voziste mbi shpejtësinë e lejuar, goditi Lendita Bardhin e Florijeta Rugovën, të cilat nuk mundën t’u mbijetonin plagëve të marra. Autori i kësaj vepre, Luftrim Musaj, me anë të një vendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë, u dënua me tre vite e gjashtë muaj burg, të cilat do t’i kalojë derisa mbrohet në liri. Gazeta Express ka biseduar me familjet e të ndjerave që janë deklaruar se do të drejtohen në Apel me një kërkesë duke kundërshtuar vendimin, ndërkaq para Gjykatës Themelore në Prishtinës sot protestohet për të kërkuar drejtësi për rastin
Dy kolege të punës, pasi që kishin përfunduar një takim u goditën për vdekje në Rrugën B në Prishtinë, teksa po kalonin vendkalimin për këmbësorë, nga 20-vjeçari Luftrim Musaj, i cili në momentin kur ndodhi rasti ishte duke vozitur mbi 100 km në orë, veturën e tipit BMW.
Ngjarja që përfundoi tragjikisht, me vdekjen e dy këmbësorëve, ka pesë muaj që ka ndodhur, e sot, për shkaktarin u dha edhe vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Musaj u dënua me burgim në kohëzgjatje prej tri vitesh e gjashtë muaj për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.
Atij iu llogarit edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërkaq, sot i është ndërprerë kjo masë dhe ai është liruar që të mbrohet në liri.
Ky vendim i Gjykatës ka tronditur të dy familjet, të cilat po deklarohen se nuk morën as ftesë për të shkuar në gjykim. Madje, po thonë se për këtë do të drejtohen në Gjykatë të Apelit, derisa drejtësia të japë një dënim meritor për 20-vjeçarin, Luftrim Musaj.
Në një rrëfim për Gazetën Express, vëllai i Lenditës, Petrit Abdullahu, po thotë se nuk kanë angazhuar as avokat, sepse besonin se në këtë rast ishin palë e dëmtuar dhe mendonin se kryesi do të dënohej në bazë të ndjeshmërisë së rastit.
“Aksidenti në rrugën “B” ka ndodhë kur ka dalë Lendita prej zyrës kanë pas punë me dal në qendrën tregtare, në vendkalimin për këmbësor prej rrethit u kanë t’u ardhë i akuzuari, e ka tejkaluar shpejtësinë në bazë të raporteve të hetuesit që ka qenë në vend të ngjarjes edhe prokurorit në vend të ngjarjes dhe nuk ka qenë në shpejtësi të lejuar. Ka tejkalu shpejtësinë, ka qenë në 100 km në orë, s’i ka respektu shenjat e komunikacionit, është edhe në raport të prokurorit, po asnjë s’është marrë për bazë”, shpjegon ai, duke treguar për ndodhinë e rastit.
”Lindita e ka lënë një djalë, 1 vjet e gjashtë muaj i ka tash, na kemi pritë që drejtësia me folë në këtë rast e s’kemi angazhu as avokat as kurrgjë t’u pritë që përnime ka me u marrë vendimi i duhur”, shton ai.

Tutje, thotë se nuk kanë marrë as ftesë me shkrim nga Gjykata që do të merrej vendimi.
“Është caktu seanca për 4 mars, u marrë edhe aktvendimi, na s’kemi marrë ftesë me shkrim prej Gjykatës nuk na kanë lajmëru as neve as familjen tjetër, prokurori na ka njoftu se mbahet seanca në ora 10 të hënën. Ne kemi shku, prezent prej familjes së Florjetës nuk ka qenë askush, në zyrë ka qenë seanca, ai e pranoi fajësinë”, shton duke folur edhe për procedurat lehtësuese për të akuzuarin, me të cilat asnjë nga familjet nuk janë pajtuar.
“Janë disa procedura lehtësuese me të cilat asnjëra nga familjet nuk janë pajtu me familjen e tyre. Ne s’jemi pajtu asnjëri duke e pritë drejtësinë, sot u mbajt seanca mas gjysë ore deri në marrje të vendimit, tha shkoni deri në kafe, derisa u kthym ne veç e kishin pas marrë vendimin. Na tash kemi me bo ankesë me një avokat si palë e dëmtume, ama kjo është tmerr”, thotë ai.
Vëllai i të ndjerës thotë se vetëm pas tre muajsh pas tragjedisë, familja Musaj kishin shkuar për pajtim, mirëpo nuk kanë pranuar.

“Jo nuk jemi pajtu, ka pas vullnet prej tyne kur i ka bo motra tre muaj, ka ardhë dikush që si realisht një kërkim falje, po na nuk kemi pranu se nuk kanë qenë prezent as atë ditë kur ka ndodhë aksidenti, as s’kemi pas telefonata as kurgjo prej tyne, të paktën një kërkim falje morale, s’ka pas kurgjo prej anës tyre, kjo është tmerr dy jetë me i marrë edhe me u dënu veç tri vjet është tmerr”, rrëfen Petriti, duke shtuar se me të njëjtin qëndrim është edhe burri i të ndjerës.
Ndërkaq, për 23-vjeçaren nga Vrella e Istogut, familja e saj u informuan përmes gazetave për dënimin.
Duke folur mes lotësh, babai i saj, Gani Rugova që momentalisht gjendet në Gjermani, thotë se nuk morën ftesë për në seancë, duke e vlerësuar vendimin si skandaloz.
“Unë u informova përmes gazetave, se jam në Gjermani, gjysë ore më herët pa u mbajt seanca e kanë thirrë mikun, unë u informova përmes gazetave. Pe vlerësoj këtë vendim si skandaloz ma mirë me ardhë me na mbyt edhe neve”, thotë Rugova, duke pohuar se do të ankohen.

23-vjeçarja Florijeta Rugova
“Normal ka me u anku deri në pikën e fundit, ka mu anku deri ku s’ka ku mu anku ma. Nuk është drejtësi kjo, kjo është marre. Drejtësia ka vdek në Kosovë”, përfundon babai i të ndjerës.
Luftrim Musaj është akuzuar nga Prokuroria pasi që me datë 22.10.2018, rreth orës 16:10, në Rrugën B – afër “Royall Mall” në Prishtinë, duke drejtuar veturën e tij të tipit “BMW”, kishte shkelur Ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve nga pakujdesia, në atë mënyrë duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos ju dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vendkalimin për këmbësor, i kishte goditur këmbësoret Lendita Abdullahu Bardhi dhe Florijeta Rugova e si pasojë e lëndimeve të marra tani të ndjerat kishin ndërruar jetë në QKUK.

Të dyja këto punonin në një kompani të patundshmërisë, dhe u goditën për vdekje pak metra larg vendit të punës.
Për të kundërshtuar këtë vendim, sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë do të protestohet.
“Shoqëria civile organizon protestë paqësore për të kundërshtuar vendimin e padrejtë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i shqiptoi dënim minimal njeriut i cili i mori jetën në komunikacion dy qytetarëve të Kosovës, Florijeta Rugova dhe Lindita Abdullahu. Kjo nuk është e tëra, kjo gjykatë ka vendosur që i njëjti edhe të gjykohet në liri”, thuhet në njoftim.
Kërkesat që do të shpalosen në këtë protestë janë rishikimi i vendimit që u mor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ngritja e dënimeve për personat që nuk i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe marrja më me seriozitet e rasteve të dëmtimit të qytetarëve në komunikacion. /GazetaExpress




