Pas katër muajve bojkot, deputetët e Listës Serbe, sot janë parë në seancën e Kuvendit të Kosovës. Nuk shkuan për seancë, as për votuar, por për të mos lejuar djegien e mandateve të tyre, kjo pasi sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, deputetëve iu merret mandati nëse nuk paraqiten në seanca për gjashtë muaj. Për këtë çështje, për Periskopin flet edhe njohësi i çështjeve politike dhe punës së Kuvendit, Ramush Tahiri.
Pas më shumë se katër muajve bojkot të qëllimshëm, deputetët e Listës Serbe sot kanë shkuar në Kuvend.
Aty, deputetët u mblodhën në një seancë të jashtëzakonshme, e cila rezultoi me një rezolutë për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë.
Por, në diskutim e as në votim, deputetët e Listës Serbe nuk morën pjesë.
Madje, arsyeja e shkuarjes në Kuvend ishte tjetër.
Ata shkuan në seancë për t’i futur kartelat dhe për të parandaluar marrjen e mandateve parlamentare për shkaqe procedurale.
Kështu, ata plotësuan obligimin e tyre formal që të mos mungojnë në seancë për më shumë se gjashtë muaj.
Për këtë çështje, për Periskopin ka folur njohësi i çështjeve politike dhe parlamentare, Ramush Tahiri.
Ai ka thënë për Periskopin se Rregullorja aktuale e Kuvendit ua mundëson deputetëve të mos shfaqen me muaj të tërë në seanca, e më pas të vinë kur rrezikohet t’iu merret mandati.
“Rregullorja thotë se deputetëve mund t’u merren mandatet pavarësisht të cilës parti janë apo të cilës etni, nëse nuk marrin pjesë gjashtë muaj. Por nëse brenda gjashtë muajve marrin pjesë njëherë, kështu më doket që është edhe në vendet tjera të rajonit, atëherë vazhdojnë mandatit. Rregullorja është e tillë. Qëllimisht e bojkotojnë, por rregullorja e Kuvendit ua lejon, ani pse duket e pamoralshme dhe e padrejtë. Edhe grupet tjera parlamentare e kanë të njëjtën. Këta munden me ndryshu rregulloren me ba çdo tre muaj, por pa u bë gjashtë muaj mandati nuk u merret. Mund t’i penalizojnë, t’ua heqin mëditjet apo pagat, por me u marr mandatin e me ia dhënë dikujt tjetër, nuk lejohet. Nuk mund të ndërmarrin diçka as deputetët, pasi është mandat i popullit”, ka thënë Tahiri për Periskopin.
Ai ka thënë se meqë bojkoti i Listës Serbe është politik, atëherë për këtë duhet të diskutojnë partnerët e koalicionit qeverisës.
“Nuk është t’u ndodh veç me Listën Serbe, po edhe me partitë tjera. Bojkoti është politik, duhet të diskutohet te partnerët e koalicionit. Mandati është individual, dhe cili do deputet mund të mungojë me muaj të tërë”, ka thënë Tahiri tutje.
Si monitorues të punës së Kuvendit, ai thotë se nuk janë të kënaqur me punën e deputetëve.
“Nuk jemi të kënaqur me punën e Kuvendit, sepse Kosova ka nevojë që Kuvendi me punu, e me ec proceset demokratike. Gjithmonë po kemi telashe me parti të caktuara që e bojkotojnë, individ që e bojkotojnë e që shkojnë nëpër shkollime e trajnime, por po e bllokojnë punën edhe me pengesa tjera që mos me ec puna e Kuvendit. Ky është niveli ynë, s’kemi çka me ba”, ka thënë tutje Tahiri.
Ndërkohë, deputetët e Listës Serbe përveç që e bojkotojnë qëllimisht punën e Kuvendit, në një reagim pas seancës thanë se nuk do të lejojnë që ulëset e tyre t’i zënë serbë privat të Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt.
“Ju njoftojmë se neve nuk na interesojnë mandatet parlamentare, por që, si bartës të vullnetit të shprehur në mënyrë demokratike nga populli serb në Kosovë, jemi të detyruar të parandalojmë që në ulëset tona të vijnë ‘serbë privatë’ të Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.
Kushtetuta e Kosovës dhe rregullorja e punës së Kuvendit humbjen e mandatit të deputetit në disa raste, por jo edhe ndalimin e pagës në rast të bojkotit.
Neni 70, pika 5, thotë se nëse deputeti mungon gjashtë (6) muaj rresht në seancat e Kuvendit, ai humb mandatin, derisa, vetëm në raste të veçanta, Kuvendi i Kosovës mund të vendosë ndryshe.
Edhe rregullorja e Punës së Kuvendit e parasheh të njëjtën gjë. Neni 25, paragrafi (E) i kësaj rregulloreje të Punës së Kuvendit, thotë se deputeti e humb mandatin nëse në periudhën gjashtëmujore nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit.
“Deputeti i Kuvendit e humb mandatin, nëse: në periudhën gjashtëmujore nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit. Nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen Kryetarit të Kuvendit, Kryetari e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Pas rekomandimit të Komisionit Kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit. Kuvendi vendos për çështjen në mbledhje të radhës”, thuhet në nenin 25 të rregullores së Kuvendit.