Rruga e Arbrit aktualisht është e bllokuar për shkak të shembjes së një pjese të malit në Qafën e Murrizit. Sikurse raporton BW, një masiv i madh dheu është shembur pak metra larg hyrjes së tunelit, duke bllokuar totalisht qarkullimin e automjeteve në drejtim të Tiranës dhe qyteteve të Qarkut Dibër.
Masivi i dheut i rënë prej afro 1 ore ka bërë që dhjetëra mjete që ishin nisur drejt Tiranës të bllokohen në rrugë duke krijuar varg të gjatë makinash. E njëjta situatë është krijuar edhe në Byppas ku vargu i automjeteve është krijuar deri në Qafën e Murrizit.
Deri tani firma nuk ka ndërhyrë për pastrimin e dheut, ndërsa pritet që policia të bllokojë kalimin në këtë aks rrugor me postoblloqe në fshatin Fshat dhe Bastar të Tiranës.
Si pasojë e motit të keq disa akse në vendin tonë kanë mbetur të bllokuara. Situatë e vështirë është edhe në Qafë-Thorë të Thethit, ku një ortek dëbore ka bllokuar rrugën e për pasojë 15 turistë kanë mbetur të bllokuar.
Lajmi është bërë i ditur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, për qarkun e Shkodrës, teksa bëjnë me dije se kanë nisur punimet për të bërë zhbllokimin e rrugës.
“Situata në përgjithësi në territorin e Qarkut është e qetë, ndërsa sipas informacioneve të marra nga Autoriteti Verior, në orët e vona të natës dhe të mëngjesit të ditës sotme, kane rëne disa ortekë te tunelet të cilat kane bllokuar përsëri për momentin segmentin e Qafë Thores. Po punohet nga strukturat e Autoritetit Verior në dy krahët për të bërë të mundur hapjen e rrugës”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë që, një ditë më parë, si pasojë e reshjeve të dendura të borës mbeti e bllokuar për disa orë rruga Bogë-Theth. Orteku që kishte bllokuar rrugën u hoq dhe qarkullimi nisi të kryhej pa problem.
Vendi ynë prej disa ditësh është përfshirë nga moti i keq me reshje dhe me temperatura të ulëta.
Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, bën me dije situatën e krijuar nga moti i keq sidomos në zonat ku ka pasur reshje bore.
Sipas ARRSH reshje bore ka pasur në Korçë-Ersekë, Dardhë, në Kukës-Bushtricë, Kukës-Ura e Zapodit, në Valbonë, por fatmirësisht qarkullimi i automjeteve bëhet pa problem në të gjithë akset.
“Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje shiu dhe dëbore në Korçë-Ersekë, Dardhë, në Kukës-Bushtricë, Kukës-Ura e Zapodit, në Valbonë. Qarkullimi kryhet pa probleme në të gjitha akset nacionale pasi është punuar me pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes në lëvizje, sidomos gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore”, shkruhet në postimin e ARRSH.