Rreth 17 mijë familje që jetojnë në varfëri ekstreme, përkrahen nga Kryqi i Kuq i Kosovës me artikuj ushqimorë dhe veshmbathje. Ndërsa, kërkesat për t’u pajisur me librezën e Kryqit të Kuq çdo ditë e më shumë janë në rritje, thonë zyrtarë të këtij institucioni.
Stina e dimrit për familjen shtatë anëtarësh të Behxhet Nezirit, që jeton në Prishtinë, është shqetësuese. Shtëpia ku jeton kjo familje përpos mungesës së kushteve elementare për jetesë, i mungojnë edhe dyer dhe dritare që së paku mund t’i mbrojnë nga të ftohtit e sezonit dimëror.
“Kam siguruar pak parket, e kam marr të Lagja e Muhaxhirëve, e kur ta harxhojmë duhet ta mbulojmë me çka të mundem. I kam pesë fëmijë dhe gruan. Gruan e kam të sëmurë, në spital është, vuan nga sëmundja mendore. Ajo me shumë rrinë në spital se në shtëpi”, tha ai.
Neziri thotë se i ka humbur shpresat për një të ardhme më të mirë për familjen e tij. Ai shpjegon se me vite të tëra ka trokitur derë më derë për të gjetur një vend pune, çfarëdo qoftë ajo, por deri me tani pa sukses.
“Kur nuk e ke dikë të njohshëm aty, është e kotë. Po a ke shkua…? O hiq, hiq bre, sikur mos të ishte Kryqi i Kuq për bukë kisha vdekur. S’ke ku të shkosh, të shkosh të ai thotë shko të tjetri, e ai tjetri thotë shko të tjetri”, tha ai.
Vetëm në kryeqytet gjithsej janë të regjistruara më shumë se 1mijë e 700 familje që kërkojnë ndihmë nga Kryqi i Kuq. Hasan Mustafa, sekretar i Kryqit të Kuq, dega në Prishtinë, tha për Radio Kosovën se këto familje në nevojë, gëzojnë të drejtën e shfrytëzimit të ndihmave me pako ushqimore dhe veshmbathje.
“Fatkeqësisht me duhet të them se këtu ka kërkesa shumë të mëdha për me e marrë një librezë të kryqit të kuq, t’u ndihmosh me pako ushqimore, higjienike apo edhe veshmbathje. Kemi shumë raste të rralla kur një familjeje i përmirësohet gjendja dhe duhet ta largojmë nga listat tona”, tha ai.
Ndërsa, në nivel vendi janë gjithsejtë 17 mijë familje që ndihmohen nga Kryqi i Kuq të Kosovës.