Rreth 25 mijë përdorues të drogave në Kosovë

Në Kosovë, llogaritet se janë rreth 25 mijë përdorues të substancave narkotike. Rreth pesë mijë prej tyre, konsiderohet se janë përdorues aktiv të narkotikëve të ndryshëm, thonë zyrtarë nga Qendra Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”.

Sipas tyre, droga që ka shënuar rritje në përdorim vitet e fundit është marihuana e cila, sipas të dhënave më të reja, po përdoret edhe nga fëmijët e moshave 12-15 vjeçare.

Ndërkaq, përdorimi i substancës narkotike të llojit heroinë, kohët e fundit ka shënuar rënie të përdorimit, për dallim nga vendet e tjera të botës, ku thuhet të ketë pasur rritje të përdorimit të saj.

Safet Blakaj nga Qendra Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, i tha Radios Evropa e Lirë se kokaina, gjithashtu si substancë narkotike, është duke shënuar ngritje në përdorim.

“Kokaina ka shënuar rritje në përdorim me shpejtësi në Kosovë, derisa lloji i drogës heroinë vazhdon të shënojë rënie në përdorim nga njerëzit”.

“Droga e quajtur marihuana, prinë në përdorim, sidomos nga të rinjtë”, tha Blakaj.

Aktualisht, në Kosovë po mbahet një program i trajnimit për profesionistë shëndetësorë përmes së cilit mëtohet t’iu ndihmohet atyre se si t’u qasen në trajtim përdoruesve të substancave narkotike, si dhe se si ta parandalojnë atë.

Milazim Gjocaj, drejtor i Departamentit të Shëndetësisë në burgje, në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se ndonëse në Kosovë ka strategji parandalimi dhe trajtimi, edhe trajnimi i punëtorëve shëndetësorë për qasjen ndaj personave që përdorin droga, sipas tij, ka qenë i nevojshëm.

“Ky program, është mundësuar nga konsulli i Kosovës në SHBA, me një institucion me plan udhëzues në Kolumbo të SHBA-ve, i cili merret me problematikën për drogat e që është brenda tij janë anëtare 47 vende të botës. Edhe Kosova ka bërë marrëveshje që të jetë pjesë e këtij trajnimi, dhe shpresojmë që edhe ne si Kosovë të anëtarësohemi në këtë rrjet të këtyre vendeve, dhe t’i përdorim përvojat që kanë ata’’.

“Vet çështja e drogës është problematike në gjithë botën. Trajtimi adekuat është i domosdoshëm. Ne kemi specialistë të fushave të ndryshme, strategji, institucione, por është e nevojshme që të kemi trajnerë, dhe të trajnojnë të tjerët në të ardhmen, në mënyrë që të parandalohet përdorimi i drogave”, thotë Gjocaj.

Në anën tjetër, Safet Blakaj thotë se qëllimi i këtij trajnimi është që të ngrihet niveli i ofrimit të shërbimeve.

“Trajnimi është i një kualiteti shumë më të lartë se që janë mbajtur zakonisht, pasi profesionistët nga Kosova trajnohen nga profesionistë te huaj, që kanë përvojë të mirë në këtë fushë”, ka thënë Blakaj.

Autoritetet e rendit kanë deklaruar se Policia e Kosovës, bazuar në planin strategjik zhvillimor, një rëndësi të veçantë i ka kushtuar luftës së trafikimit me narkotikë. Policia ka arritur që brenda periudhe kohore janar-prill të vitit 2017, të realizojë një sërë planesh konkrete, ku janë konfiskuar mbi 28 kilogramë heroinë.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës thotë se Policia në bashkëpunim me autoritetet tjera relevante, në vazhdimësi po punon për parandalimin e rasteve të abuzimit me substanca narkotike.

“Në aspektin ligjor ne do të ndërmarrim masa të ashpra ligjore ndaj të gjithë atyre që janë të përfshirë në trafikim me substanca narkotike dhe vepra tjera të kundërligjshme që rrezikojnë shëndetin e të rinjve tanë”, thotë Hoxha.

“Policia është e gatshme për bashkëpunim sa më të madh me të gjithë për të punuar bashkërisht që rastet e tilla të reduktohet dhe të krijohet një ambient më i sigurt për të gjithë’, shton tutje ai.

Sidoqoftë, Kosova është konsideruar vend transit për trafikimin e drogës dhe jo destinacion i saj, thonë autoritetet e rendit – një pohim i bazuar edhe në raportet ndërkombëtare për aktivitetet e grupeve të njohura si trafikues me substanca narkotike.

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar një strategji për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të luftimit të drogave, krimit të organizuar, terrorizmit, si dhe ruajtjes dhe kontrollit të kufirit shtetëror.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme