Policia ka zhvilluar një operacion në një magazinë, ku ka zbuluar dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të dyshuara si të kontrabanduara. Gjatë kontrollit janë gjetur 1000 litra naftë, 3800 litra vaj ushqimor, 170 litra alkool (raki), si dhe një kamion që dyshohet se përdorej për transportin e këtyre mallrave.
Si rezultat i këtij operacioni, janë vënë në pranga dy persona, të cilët akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të kryera në bashkëpunim.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar “Akciza”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.
Gjenden në një magazinë dhe sekuestrohen 1000 litra naftë, 1 kamion, 3800 litra vaj ushqimor dhe 170 litra alkool (raki).
Vihen në pranga 2 shtetas (pronari i magazinës dhe drejtuesi i kamionit).
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, si rezultat i një pune hetimore të kryer bazuar në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Akciza”.
Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në magazinën e shtetasit A. Z., ku u konstatuan kamioni i shtetasit P. Q., i mbushur me një sasi nafte, një depozitë me rreth 1000 litra naftë, pajisje për peshimin dhe shkarkimin e naftës, 3 800 litra vaj ushqimor dhe 170 litra alkool (raki), të dyshuara të kontrabanduara.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë (pronari i magazinës) dhe P. Q., 58 vjeç, banues në fshatin Qesarat (drejtuesi i kamionit), për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të kryera në bashkëpunim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.