Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme në Kryeministri, ka vendosur që të shtyhet afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit të skaduara.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, përgjatë një fjalimi para Kryeministrisë, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, sqaroi se me zgjatjen e afateve, do të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Sipas Hoxhës, rreth 500 mijë shtetas shqiptarë do të përfitojnë nga ky akt i miratuar ditën e sotme.
Fjala e plotë e ministrit të brendshëm, Ervin Hoxha:
Sot Këshilli i Ministrave miratoi një akt shumë të rëndësishëm për zgjatjen e afateve të vlefshmërisë së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike.
Kjo situatë e krijuar, e cila do të zgjidhë shumë shpejt të gjithë këtë ngërçin e krijuar, janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë të cilëve u ka përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit, në këtë mënyrë, me miratimin e këtij akti, do të kenë mundësinë të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës si një e drejtë kushtetuese.
Me miratimin e këtij akti, të gjithë shtetasit shqiptarë do të votojnë sipas udhëzimeve të KQZ-së duke u regjistruar në platformën elektronike të regjistrave të zgjedhjeve.