Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka urdhëruar evakuimin e banorëve në zonat e Zukthit dhe të Katundit të Ri në bashkinë e Durrësit për shkak të rrezikut për jetën e qytetarëve nga përmbytjet.
LAJMËRIM ZYRTAR PËR EVAKUIM TË MENJËHERSHËM
Në zbatim të:
Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”
Planit Kombëtar të Emergjencave Civile
Planeve Vendore të Emergjencave Civile,
si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të:
Bashkisë Durrës,
Njësisë Administrative Sukth dhe Katund i Ri.
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me:
Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC)
Prefektin e Qarkut përkatës
Strukturat e Emergjencave Civile në bashki
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.
Prioritet në procesin e evakuimit kanë:
Fëmijët
Të moshuarit
Personat me aftësi të kufizuara
Familjet në zona të izoluara
Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga:
Mjetet e Bashkisë
Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH)
Forcat e Armatosura
MENAXHIMI I STREHIMIT TË TË EVAKUARVE
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me:
Policinë e Shtetit
Njësitë e kujdesit shëndetësor
Strukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës
Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet:
Regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm
Administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore
Ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim
Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.
Për çdo situatë emergjente, qytetarët të kontaktojnë numrin e emergjencave.



