Dorëzimi i mocionit të mbrojtjes për rrëzimin e akuzave ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shtyrë, pasi Gjykata ka pranuar prova të reja në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime lufte.
Mbrojtja kishte planifikuar që këtë të hënë të dorëzonte mocionin për rrëzimin e akuzave, por sipas avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, dokumenti do të dorëzohet deri më 12 qershor.
Sipas vendimit të kryetarit të trupit gjykues, në proces janë pranuar si prova disa raporte ndërkombëtare dhe dëshmi që ndërlidhen me viktimat e përfshira në aktakuzë. Prokuroria vlerëson se këto prova përforcojnë pretendimet për keqtrajtim dhe torturë ndaj të ndaluarve. Nga ana tjetër, mbrojtja i ka kundërshtuar ato, duke i cilësuar të papranueshme.
Avokati i akredituar pranë Gjykatës Speciale, Taulant Hodaj, ka deklaruar për Dukagjinin se këto zhvillime nuk pritet të ndikojnë në zvarritjen e mëtejshme të procesit gjyqësor.
“Po besoj që gjykata vendimin ta marrë para muajit qershor dhe eventualisht të fillojë në korrik, sepse në gusht janë pushimet. Mund të nisë me dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtësit të viktimave dhe të mbrojtësit të të akuzuarve. Por, kjo mund të shtyhet edhe pas pushimeve. Gjithsesi, jemi brenda afateve dhe parashikimeve të bëra para dy vitesh,” u shpreh Hodaj.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmbyllur paraqitjen e provave më 15 prill 2025.
Pas kësaj, prokuroria kërkoi ndryshim të masës së sigurisë për të akuzuarit, por kjo nuk ndodhi. Sipas Hodajt, disa faktorë kanë ndikuar që kjo kërkesë të mos pranohet.
“Mund të ketë ndikime, sidomos te të paraburgosurit. Proceduralisht, prokuroria mund të argumentoje se nuk ka siguri të mjaftueshme, për shembull, policia nuk arriti të ndalë protestuesit, e lërë më të sigurojë të akuzuarit. Kjo mund të përdoret si argument për mosndryshimin e masës së sigurisë,” shtoi ai.
Në këtë periudhë, Kosovën e vizitoi edhe kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila anuloi një takim të planifikuar me mediat për shkak të protestës së organizuar nga veteranët e UÇK-së.
Proces i tejzgjatur
Në dy vjet, mbi 125 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria e Specializuar kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ish-krerët e UÇK-së.
Tani që Prokurorisë po i përfundon koha për të vërtetuar akuzat e saj, e ardhmja e gjyqit është e pasigurt.
Në tetor të vitit 2020 ishte konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.
Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.
Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe udhëheqës i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Të katërt, sipas Prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.