Rrihet në Graçanicë zëvendësministri i Qeverisë së Kosovës, Boban Stankoviq

Nënkryetari i Partisë së Pavarur Liberale (SLS) dhe zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovë, Boban Stankoviq, është rrahur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës para shtëpisë së tij në Graçanicë, nga një grup personash dhe nga arsye të panjohura tash për tash, transmeton Koha.net.

Por, partia e tij thekson se “kemi arsye të dyshojmë dhe të brengosemi nga fakti se para dhjetë ditësh persona të panjohur në oborrin e shtëpisë së Stankoviqit ia helmuan dy qen të racës së zgjedhur”.

Policia në Graçanicë, ka konfirmuar rastin, por nuk kanë dhënë hollësi të tjera e as motivet e kësaj rrahjeje.

Ndërsa Policia e Kosovës ka konfirmuar se në orën 02:30 të datës 8 mars në Graçanicë janë përfshirë në një rrahje gjashtë persona, tre prej të cilëve janë shoqëruar në polici.

Koha.net merr vesh se njëri prej tre të dyshuarve është vetë zëvendësministri Stankoviq, i cili më vonë është liruar me procedurë të rregullt.

Boban Stankoviq ka qenë edhe ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës.

Ndërsa mediat në gjuhën serbe duke njoftuar për këtë ngjarje, theksojnë se “atë e rrahu një grup huliganësh, të cilët i shkaktuan lëndime të rënda trupore”.

Stankoviqin e kishte zgjuar një grindje e zhurmshme ndërmjet shtatë-tetë personave para shtëpisë së tij, dhe kur ky ka dalë të shihte çfarë po ndodh, huliganët, siç i quan shtypi serb, kishin nisur ta fyejnë dhe pastaj edhe ta rrahin sa që i kanë shkaktuar Stankoviqit lëndime të rënda trupore, bën të ditur SLS përmes një komunikate.

Para dhjetë ditësh Stankoviqit ia helmuan në oborrin e tij dy qen me racë të zgjedhur, që duket ishte tërheqje vërejtjeje për zëvendësministrin në Qeverinë e Kosovës.

SLS u ka bërë thirrje organeve kompetente të ndriçojnë rastin dhe kryesit e kësaj vepre t’i nxjerrin para drejtësisë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme