Të paktën 35.984 palestinezë janë vrarë në ofensivën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavën e rrethuar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të ministrisë thuhet po ashtu se 80.643 persona të tjerë janë lënduar nga sulmet.
“Sulmet izraelite vranë 81 persona dhe plagosën 223 të tjerë në 24 orët e fundit”, thuhet në deklaratë.
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, shtoi ministria.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë të pandërprerë në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetorin e kaluar, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë 1.200 njerëz.
Më shumë se shtatë muaj pas fillimit të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në rrënoja, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të marrin masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.