Rritet numri i pacientëve për shkak të ndotjes së ajrit, apelohet për përdorim të maskës

Në Klinikën e Sëmundjeve të Mushkërive në QKUK, është rritur numri i pacientëve për shkak të ndotjes së ajrit.

Me uljen e temperaturave në vendin tonë, në Prishtinë është ngritur ndotja e ajrit, shkruan lajmi.net.

Madje mbrëmë ndotja e ajrit ka arritur shkallën më të lartë të rrezikshmërisë në vlerë prej 493 PPM.

Rukije Mehmeti, drejtoreshë e Klinikës së Sëmundjeve të Mushkërive në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), ka konfirmuar për lajmi.net, se është rritur numri i pacientëve në këtë periudhë.

Sipas Mehmetit, kjo klinikë ka gjithsej 68 shtretër dhe pothuajse të gjithë shtretërit janë me pacientë.

“ Kjo kohë është normale për pacientë me sëmundje kronike të mushkërive sepse përveç ndotjes së ambientit që ndikon te ta, ndikojnë edhe virozët te këta pacientë të cilët edhe ashtu janë të ndjeshëm nuk  ju nevojitet shumë që me ju përkeqësua gjendja. Në këtë kohë, me vite të tëra kemi probleme me këta pacientë. Aktualisht mund të them lirisht se e kemi plot klinikën, ne i kemi 68 shtretër pothuajse 95-96 për qind është e mbushur krejt klinika me pacientë. Shpeshherë na duhet të bëjmë lirime të shtretërve në mënyrë që të mund të bëjmë vende për raste të reja. Kjo është koha kur më së shumti ka pacientë”, thënë Mehmeti, e cila shtoi se, gjatë stinës së verës nuk ndodh një gjë e tillë.

Drejtoresha e kësaj klinike, po ashtu ka treguar se të shumica e pacientëve janë nga Prishtina.

“Ne e kemi Prishtinën dhe rrethinën. Prej qyteteve të tjera kemi shumë më pak pacientë. Kryesisht pacientët i kemi nga Prishtina me rrethinë”, ka treguar Mehmeti për lajmi.net.

Ajo ka thënë se të gjithë personat që kanë probleme me frymëmarrje apo që kanë probleme me sëmundjet kronike duhet t’i shmangen daljeve në qytet.  Madje Mehmeti thotë se të gjithë pacientët që janë të prekur nga këto sëmundje nuk duhet as t’i hapin dritaret e shtëpive të tyre në periudhën kur ndotja e ajrit është e lartë.

“Pacientët të cilët janë të predisponuar me sëmundjet kronike duhet me ju preferua që sa më pak me dalë sidomos në kohën kur automjetet janë më së shumti në rrugë që do të thotë në mëngjes, në kohën kur lëshohen prej punës, në mbrëmje kur ka lëvizje të automjeteve edhe në kohën kur është piku i ndotjes as dritaret e shtëpisë nuk duhet të hapen për ajrosje sepse aty nuk ka ajrosje por ka vetëm ndotje dhe normal me pi sa më shumë lëngje, vitamina, edhe me e marrë terapinë të cilën e kanë të përshkruar prej mjekut”, ka këshilluar Mehmeti.

Tutje, ajo ka thënë se është mirë që të dalim në qytet me maska në mënyrë që të mbrohemi mirëpo siç u shpreh Mehmeti, dalja me maska mund të vetëdijesoj edhe Qeverinë dhe institucionet përgjegjëse që të marrin masa për parandalimin e ndotjes së ajrit.

“Është mirë që të gjithë të dalim me maska në këtë periudhë pasi që përpos që e mbrojmë veten, është mirë që të bëjmë apel edhe te ata të cilët mundësi që të ndikojnë në parandalimin e kësaj ndotje të ambientit. Nëse e shohin se të gjithë ne jemi duke u munduar që në një mënyrë apo tjetrën ta ruajmë shëndetin tonë, atëherë edhe shteti po besoj që merr masa edhe rregullojnë dhe marrin masa për mbrojtjen e ambientit”, deklaroi Mehmeti për lajmi.net, e cila shtoi, se rëndësi të madhe ka edhe gjelbërimi në qytet e që sipas saj, gjelbërimit aspak nuk po i kushtohet rëndësi.

Sipas Mehmetit, duhet të evitohet edhe përdorimi i veturave në qytet nëse dëshirojmë që të kemi ajër më të pastër.

Edhe sot ndotja e ajrit në Prishtinë ka qenë e lartë. Në matjen e fundit që është bërë nga matësi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë për cilësinë e ajrit, në ora 13:00, ndotja e ajrit ka qenë jo e shëndetshme dhe ka arritur shkallën prej 155 PPM. /Lajmi.net/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme