Sipas mediave në Serbi, shuarja e kësaj qendre mund të jetë edhe kusht në hapjen e kapitullit 31 për negociatat me Bashkimin Evropian.
Brukseli do të mund të kërkojë nga Serbia, që si kusht për hapjen e kapitullit 31, që kësaj qendre dhe personelit të saj mos t’i jepet statusi diplomatik, transmeton lajmi.net.
Tutje “Novosti” shkruan se BE-ja ka shumë gjasa të kërkojë mbylljen e tërësishme të saj.
Kjo gazetë po ashtu shkruan se raporti për hapjen e këtij kapitulli, i cili ka të bëjë me politikën e jashtme dhe sigurinë, ende nuk i është prezantuar Beogradit.
“Kjo nuk ka ndodhur pasi që vendet baltike dhe Polonia insistojnë që në të, të përfshihen disa kërkesa që kanë të bëjnë me dobësimin e lidhjeve Serbi-Rusi”, shkruan gazeta.
Këto kushte mund të përfshijnë nga vënia e sanksioneve ndaj Rusisë e deri te bashkëpunimi ushtarak.
Kundër kësaj qendre në disa raste ka dalë edhe SHBA-ja. Së fundi për të hapur dhe kundër ka folur senatori amerikan Ron Johnson, i cili pardje ka qëndruar në Beograd.
Ai u ka bërë më dije qartazi autoriteteve serbe që t’i kundërvihen kërkesave të Moskës që kjo qendër në Nish të ketë status diplomatik.
Pesë vjet pas hapjes, çështja e imunitetit diplomatik të personelit në Qendrën Humanitare ruse, si dhe status i veçantë për hapësirën dhe pasurinë e vet qendrës, është temë që tashmë haptas përmendet nga Uashingtoni zyrtar, transmeton lajmi.net.
“Sa i përket Qendrës Humanitare shpresoj se presidenti Vuçiq dhe populli serb dhe Serbia që t’i kundërvihen të gjitha tentimeve që t’i jepet imunitet asaj qendre, sepse kjo nuk do të ishte në interesin më të mirë të njerëzve në Serbi në kuptimin ekonomik dhe investimet e huaja”, ka thënë senatori Ron Johnson, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nënshkrimi i marrëveshjes për imunitet dhe privilegje është tashmë dy herë, në vitin 2012 me rastin e themelimit të qendrës dhe më pas në vitin 2014, me rastin e vizitës së presidentit rus, Vladimir Putin në Serbi.
Vendet perëndimore i kanë bërë në vazhdimësi presion Serbisë që ta shuaj këtë qendër, pasi që shihet si krijim i bazës ushtarake ruse në rajon.
Kjo bazë shihet edhe si kërcënim për Kosovën, pasi që nuk është shumë larg kufirit me Kosovën.
Të kujtojmë se senatori Johnson sot në Prishtinë është takuar me krerët e shtetit të Kosovës. /Lajmi.net/