Rritja e çmimeve ‘fryn’ buxhetin e shtetit! Në 4 muaj përftohen 284 milionë euro

Ndikimi i rritjes së çmimeve ka qenë pozitiv sa i përket të ardhurave të buxhetit të shtetit.

Sikundër edhe paraqitet nga publikimi i perfromancës paraprake 4-mujore të të ardhurave dhe shpenzimeve, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në total arkës së shtetit i janë shtuar 284 milionë euro më shumë.

Si tatimet ashtu edhe doganat kanë mbledhur më shumë para përgjatë kësaj periudhe. Ndikimin më të madh në ecurinë pozitive të arkëtimeve e ka dhënë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, e ashtuquajtura taksa e konsumit që mban edhe peshën kryesore prej shtrenjtimit të çmimeve në pjesën e parë të këtij viti.

Rritje të konsiderueshme në raport më 4-mujorin  e vitit të shkuar kanë shënuar edhe të ardhurat e mbledhura nga kontributet shoqërore, tatimi mbi të ardhurat personale si dhe tatimi mbi fitimin.

Në drejtim të doganave, janë grumbulluar më shumë të ardhura  nga mallrat e akcizës me mbi 123 milionë euro si dhe taksat doganore me gati 20 milionë euro, duke shënuar një rritje të lehtë kundrejt janar-prill 2021.

Të njëjtin trend kanë ndjekur edhe shpenzimet buxhetore që këtë periudhë arritën në 168.5 miliardë lekë, rreth 6 milionë euro më të larta se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja ka ardhur si në zërin e shpenzimeve kapitale para që shkojnë kryesisht për investime, ashtu edhe në shpenzimet korente për personelin, paga e pagesa kontributesh shoqërore.

Niveli i suficitit për periudhën 4 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 19.2 miliard LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 14.8 miliard LEK.

Performanca Paraprake 4-Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve: (Burimi Ministria e Ekonomisë dhe Financave)

Të ardhurat:

Të ardhurat totale për 4-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 187.8 miliardë Lekë ose 107 % të planit të 4-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me 34.7 miliard lekë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 165.1 miliardë lekë, 33.2 miliardë ose 25.2% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 10.1 miliardë ose 6.5% më shumë se plani 4-mujor për vitin 2022. Në këtë realizim kanë ndikuar faktorë të cilët do të shpjegohen në analizën specifike të secilit prej tatimeve më poshtë.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 65.5 miliardë lekë, 12.7 miliardë lekë ose 24% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe 1.9 miliardë lekë ose 3 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 4 mujorin e vitit 2022.

Të ardhurat nga TVSH në import për 4 mujorin rezultojnë 46.6 miliardë lekë, 10.7 miliardë lekë ose 29.7 % më shumë se një vit më parë, si dhe 2.1 miliardë ose 4.7% më shumë se plani për 4 mujorin 2022.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 15.1 miliardë lekë, 1 miliardë lekë ose 7.4% më shumë se viti 2021, si dhe 1 miliardë lekë ose 6.3% më pak se plani i akcizës për 4 mujorin 2022.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.4 miliardë lekë, 649 milionë ose 81.1% me shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 136.3% kundrejt planit.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 2.4 miliardë lekë, 300 milionë lekë ose 14.5% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe realizim në masën 121.6% kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 4 mujorin 2022 u realizuan në masën 99.6 miliardë lekë, 20.5 miliardë ose 26% më shumë se 4 mujori i vitit të kaluar, si dhe 8.1 miliardë lekë, ose 8.9% më shumë se plani i 4 mujorit 2022.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 14.2 miliardë lekë, 7.1 miliardë ose 99.5% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe 790 milionë ose 5.9% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 4 mujorin 2022. Rimbursimet për periudhën 4 mujore 2022 janë 3.9 miliardë lekë, 6.6 miliardë lekë ose 63.1% më pak se 4 mujori 2021, si dhe 1.5 miliardë lekë ose 28.2% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së për 4 mujorin 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 18 miliardë lekë 5 miliardë lekë, ose 38.1% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe 5.4 miliardë lekë ose 43.1% më shumë se plani i vitit 2022 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 14.7 miliardë lekë, 1.8 miliardë lekë ose 13.7% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe 354 milionë ose 2.5% më shumë se plani i 4 mujorit 2022.

Taksat nacionale, për periudhën 4 mujore 2022 u realizuan në masën 14.2 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 20.7% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe 1.1 miliardë lekë ose 8.4% më shumë se plani i përcaktuar për 4 mujorin 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 38.6 miliardë lekë, 4.3 miliardë lekë ose 12.5% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe realizim 101.4 % të planit për 4 mujorin 2022.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e katërt të vitit 2022, arritën në rreth 168.5 miliard LEK me një realizim në masën 95 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 0.4 përqind më i lartë ose 725 milion LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 4 mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 26.4 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 26 përqind të planit vjetor sipas Aktik Normativ nr.3, datë 12.03.2022 (AN nr.3).

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 4 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 97.7 përqind dhe 87.5 përqind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 28.6 përqind dhe 13 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 28.9 përqind dhe 14.2 përqind të planit vjetor sipas AN nr.3.

Shpenzimet korente për periudhën 4 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 145.1 miliard LEK, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 3.7 përqind më i lartë ose rreth 5.1 miliard LEK më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 4 mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën rreth 15.5 miliard LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë rezulton 43.7 përqind më i ulët ose rreth 12.06 miliard LEK më pak.

Niveli i suficitit për periudhën 4 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 19.2 miliard LEK nga rreth 1.34 miliard lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 14.8 miliard LEK, për periudhën 4 mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit./GSH

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme