Gazetare: Evi Shkopi
Çmimet e produkteve ushqimore vazhdojnë të rriten. Qytetarët thonë se me vështirësi kalojnë muajin, sepse të ardhurat nuk u mjaftojnë për shpenzimet bazë. Një pjesë e produkteve të qumështit u rritën dhe për herë të dytë në vetëm një javë. Produktet e qumështit nga java e kaluar po shiten më shtrenjtë për rreth 30 denarë, por ka paralajmërime se ditët në vijim do të rriten edhe për 15 deri në 20 denarë. Kaçkavalli arriti çmimin deri në 900 denarë, kurse një kilogram djathë kushton mbi 500 denarë. Qytetarët thonë se shumë produkte thelbësore për ta janë bërë luks.
“Vazhdimisht rriten çmimet, ndërsa pensionet janë njësoj. Zyrtarët i rrisin rroga, ndërsa ne do të mbijetojmë, për fatura për barna. Produktet e bu lmetit tashmë na janë bërë luks. Kaçkavall as nuk e mbaj mend se kur kam blerë për herë të fundit. Jam e dëshpëruar,” tha një qytetare.
“Jo, vetëm djathë mora. Si të ju them, është e vështirë. Katastrofë është. Momentalisht çmimet janë tepër, për dikë, për dikë që nuk ka. Ai që ka merr, ai që s’ka nuk merr dot. Çfarë të blejmë më 6 mijë denar. Muaji nuk del. Ka të tjerë që marrin më shumë e s’ ju dalin, e ku do dalin 6 mijë denar. Populli ashtu, hesht populli,” tha një qytetar.
Se çmimet e produkteve ushqimore dhe atyre higjienike janë të larta tek ne, e vërejnë edhe mërgimtarët që po vizitojnë vendlindjen këtë periudhë. Sipas tyre, nëse krahasohet paga minimale në shtetet evropiane me atë në vendin tonë dhe më pas krahasohen çmimet e produkteve, rezulton se qytetarët në Maqedoninë e Veriut marrin më pak para, por paguajnë çdo gjë njësoj ose më shtrenjtë se në shtetet evropiane.
“Çmimet këtu, krahasuar me çmimet në Belgjikë, si ju duken?
-Shumë më shtrenjtë.
– Ndoshta të njëjta.
– Të njëjtat. Ka dallim tek disa, disa janë më shtrenjtë.
– Sa është rroga në Belgjikë?
– Rroga, minimumi është 1500 euro.
-Nuk e dimë këtu se si ia dilni. Zoti ju ndihmoftë, u shpreh një qytetar.
Ajo që dihet është se në shtator një sërë produktesh të tjera do të kenë çmime më të larta, pasi me ndryshimet ligjore TVSH-ja për produkte të caktuara do të dyfishohet, nga 5 në 10%. Lista do të jetë e gjatë, por saktësisht se cilat produkte do të jenë në të nuk dihet ende, pasi nuk është bërë e ditur publikisht. Vala e rritjes së çmimeve të ushqimeve vjen pasi masat për kufizimin e marzheve dhe TVSH-së përfunduan dhe bizneset ishin më të lirë për të vendosur për çmimet e produkteve. /alsat.mk