Rrugët e vdekjes, për pesë muaj 37 të vdekur në komunikacion

Mbi 5200 aksidente në komunikacion janë regjistruar në Kosovë vetëm gjatë periudhës janar – maj të këtij viti, me ç’rast 37 qytetarë kanë humbur jetën. Prishtina prin me numrin e aksidenteve me fatalitet, përderisa në Ferizaj nuk është regjistruar asnjë rast i aksidenteve me të vdekur, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti 37 kosovarë e kanë humbur jetën nga aksidentet në komunikacion, ku vetëm në regjionin e Prishtinës kanë vdekur 14 veta.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur për “Zërin” se gjatë periudhës janar – maj 2019, 5217 aksidente komunikacioni janë regjistruar në gjithë vendin. Pas Prishtinës, qyteti me më së shumti aksidente të shkaktuara gjatë këtij viti është ai i Prizrenit me 612 aksidente, ku 7 persona kanë humbur jetën, pastaj ai i Pejës me 510 aksidente me 3 viktima në komunikacion, në Mitrovicën e Jugut janë regjistruar gjithsej 378 aksidente në komunikacion, ku 1 person ka humbur jetën, në Gjilan 5 qytetarë kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në trafik, në Gjakovë 4 të vdekur, përderisa në regjionin e Ferizajt gjatë kësaj periudhe kohore fatmirësisht nuk është regjistruar asnjë aksident me fatalitet.

Për shkak të numrit të madh të aksidenteve me fatalitet, Policia e Kosovës kërkon nga drejtuesit e automjeteve të kenë kujdes maksimal gjatë vozitjes. “Policia e Kosovës në vazhdimësi ka plane konkrete për sigurinë në trafik dhe realizon fushata vetëdijesuese dhe njëkohësisht kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, t’i respektojnë shenjat e trafikut rrugor, si dhe të jenë shumë vigjilentë.

Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik është i domosdoshëm për t’i shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor”, kanë thënë zyrtarët policorë, duke shtuar se për shoferët e papërgjegjshëm sivjet kanë shqiptuar mbi 170 mijë tiketa në trafik.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme