Ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takim me liderët e partive politike për të diskutuar për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare iu përgjigjën pothuajse të gjithë duke përfshirë atë të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe disa parti të tjera, por aty mungoi kryetari i VV-së kryeministri Albin Kurti.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu dje për RTV21 ka deklaruar në mungesë të Kurtit në këtë takim do të marrte pjesë, nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca i cili u refuzua nga Osmani, pasi siç deklaroi ajo “ ky takim konsultativ është vetëm për nivel të kryetarëve, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë”.
Deklarata e Osmanit pati reagim nga deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, i cili ka kërkuar nga presidentja të tregojë se mbi çfarë baze kushtetuese e ligjore refuzon zëvendësimin e kryetarit të subjektit politik.
“Kryeministri Kurti nuk mund të jetë në dy vende njëkohësisht, andaj ai është dashur të peshojë: ta anulojë pjesëmarrjen e konfirmuar qysh para tri javësh në drekë me 21 ambasadorë, apo të shkojë aty dhe në vend të tij me partitë politike te Presidentja Osmani të shkojë nënkryetari i parë dhe kryeparlamentari Konjufca. Me të drejtë e ka përzgjedhur të dytën. Pyetja që duhet shtruar është: mbi çfarë baze kushtetuese e ligjore Presidentja refuzon zëvendësimin e kryetarit të subjektit politik (që është edhe Kryeministër) me nënkryetarin e parë (që është edhe Kryeparlamentar)?”, ka shkruar Rrustemi në Facebook./21Media