Rugova dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për dallavere me viza, Haraqija thotë se si ministër ka dhënë rekomandime për viza

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova, ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija si dhe tre të akuzuarit e tjerë, Izet Beqiri, Qefser Baholli, si dhe Florjan Petani, sërish janë deklaruar të pafajshëm, lidhur me akuzat për dallavere me vizat italiane.

Pasi që në seancën e së mërkurës është veçuar procedura ndaj tyre, pesë të akuzuarit kanë mohuar akuzat me të cilat ngarkohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ukë Rugova, avokati Nexhat Shabani, ka thënë se mbeten pranë kundërshtimeve të aktakuzës, duke thënë se gjatë procesit do të bindet trupi gjykues, se kjo aktakuzë është e pa qëndrueshme.

“Klienti im do të del i pafajshëm”, ka thënë avokati Shabani.

Ndërkaq, Ukë Rugova ka thënë se përkrah deklarimin e mbrojtësit të tij, duke thënë se nuk ka se çfarë të shtojë më shumë.

I akuzuari Astrit Haraqija, ka thënë se gjatë kohës sa ka qenë ministër ka rekomanduar viza, por këtë thotë se e ka bërë për federata të ndryshme të sportit.

Por, ai ka thënë se nëse një person gjendet se ai ose Ukë Rugova i kanë marr vetëm një euro, atëherë ai do të jep përgjegjësi lidhur me këtë.

“Pas vitit 2008, si kryetari i qeverisë lokale kom rekomandu për viza edhe si ministër po ashtu. Unë kam rekomandu mbi 32 federata, pastaj si ministër po ashtu kam rekomanduar. Këtë e kanë bërë edhe ministra të tjerë për viza në ambasadë. Këto janë lojëra politike nëse del një person që mua apo Ukës naj ka dhënë një euro, jo 7 vjet, por 14 vjet shkoj në burg”, ka thënë Haraqija.

Mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri, avokati Besnik Berisha, ka thënë se pasi që prokuroria është zënë ngushtë me statistika për mungesë të rezultateve, sipas tij, ka filluar të merret me emra të përveçëm.

“Ky rast është një rast që në historinë e drejtësisë nuk ndodh shpesh për shkak se nga gjykata nuk lejohen manipulimet dhe fabrikimet në interpretimin e fakteve thelbësore, siç ka ndodh në këtë rast. Me ketë çështje penale ishte një herë në gjyqtar i EULEX-it, që e kthej aktakuzën mbrapsht, që kërkoi që prokuroria të specifikojë veprimet e secilit të akuzuar, veç e veç. Kur aktakuza është kthyer për ndryshim neve si anë e kundërt e prokurorisë na priu fati i keq sepse gjyqtarit i mbaroj misioni sepse në rreshta të vendimit të tij fundi i kësaj aktakuze veç dihej.”, ka thënë avokati Berisha.

Sipas tij, pastaj këtë lëndë e mori një gjykatës tjetër, duke i dhënë kohë prokurorit që të ndryshonte aktakuzën, por që siç ka thënë ai, përveç që nuk ishte respektuar koha, ishte pranuar një aktakuzë me një titull të ndryshuar, e asgjë më shumë.

“Për herë të parë e dëgjon fjalën kontrbandim me emigrantë dhe kalim ilegal të kufirit për persona që janë pajis me vizë të rregullt nga një autoritet pjesë e marrëveshjes shengen”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se do të provohet se askush nga ata që ka marrë rekomandim nga familja Rugova, nuk ka bërë kalim të kundërligjshëm të kufirit.

“Asnjë qytetar, as këta këtu, e as ata që janë shkru nuk do të vijnë para kësaj gjykate, e as prokuroria nuk do ta provoj se kanë kaluar kufirin pa i përfillur kushtet e atij shteti. Asnjë nga të rekomanduarit nuk kanë qenë, e nuk kanë mbet emigrant në asnjë shtet të botës. Paska shkru rekomandim se persona të caktuar ishin apo janë favorizues të LDK-së, pjesëmarrës aktiv në fushata, me role qoftë në fushën e sigurisë, qoftë në fushën e logjistikës, qoftë në fushën e mbledhjes së donacioneve për fushata dhe mbi këtë bazë t’i kërkosh një autoriteti për të lëshuar një vizë duke respektu rregullat e ambasadës nuk ka qenë dhe nuk do të mbetet krim asnjëherë”, ka shtuar avokati Berisha.

Ai ka thënë se në bazë të këtyre fakteve, demantohet çdo pretendim për krim të organizuar.

Sipas tij, do të provohet se asnjë qytetar i vetëm, i cili është në këtë dosje me plotë defekte të prokurorisë, nuk e ka paguar asnjë cent të vetëm, as te Ukë Rugova, as te Izet Beqiri, apo te të tjerët.

“Do të mundohemi të sigurojmë edhe prezencën e ish-ambasadorit të Italisë për ta pyetur se a i ishte ofruar, premtuar apo a ka pranuar ryshfet, a është kanosur për të aprovuar viza të qytetarëve që paraqiten këtu si të kundërligjshme”, ka thënë tutje avokati Berisha.

Mbrojtësi i të akuzuarit Qefser Baholli, avokati Asdren Hoxha, ka thënë se Prokuroria nuk do të arrijë të vërtetojë gjendjen faktike si në aktakuzë, dhe sipas tij, ky gjykim si epilog do të ketë aktgjykim lirues.

Ndërkaq, edhe i akuzuari Florjan Petani ka mohuar pretendimet e prokurorisë, se ai është i përfshirë në vepra penale që lidhen me këtë rast.

Pasi që është bërë veçimi i procedurës, prokurorja Floria Shamolli ka thënë se duhet me vendos se cilët dëshmitarë do të ftohen për të dëshmuar.

“Do të bëjë me kohë një propozim për dëshmitarë dhe do të njoftojë gjykatën”, ka thënë prokurorja Shamolli.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 16 shtator 2016, në ora 09:00.

Ndryshe, seanca e paraparë më 14 qershor 2019, kishte dështuar të mbahej pasi kishin munguar pesë të akuzuarit në këtë rast, Florjan Petani, Adem Koskoviku dhe Fadil Ahmeti, Hasan Shaqiri dhe Beg Shaqiri.

Kjo kishte bërë që as pas më shumë se një viti e gjysmë të mos vazhdonte gjykimi në këtë rast.

Ndryshe, në nëntorin e vitit 2017, kur ishte mbajtur seanca e fundit, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Në seancën e 29 janarit, gjykatësja Krasniqi-Jashanica kishte njoftuar se do të bisedojë me prokuroren Florije Shamolli lidhur me veçimin e procedurës ndaj disa të akuzuarve, mirëpo lidhur me këtë ende nuk ka ndonjë përgjigje nga ana e gjykatës.

Kurse, në seancën që ishte mbajtur në janar të vitit 2017, Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Visar Beqiri, si dhe Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqiri, kishin bërë kërkesë në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë.

Madje, avokati Beqiri e kishte kundërshtuar edhe seancën e mbajtur më 22 nëntor 2017, pasi sipas tij, nuk do të duhej të mbahej një seancë e tillë, përderisa kërkesa e tij, ende nuk ishte shqyrtuar nga Gjykata Supreme.

Kërkesën për mbrojtjes të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ata e kishin paraqitur pasi që Gjykata e Apelit më 25 shtator 2017, kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Kurse, Gjykata Supreme, në shkurt të vitit 2018, kishte refuzuar si të papranueshme kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruara nga avokatët Afrim Salihu dhe Besnik Berisha.

Sipas arsyetimit të vendimit të Supremes, thuhej se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet vetëm kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore, e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë.

Ndërsa, në këtë rast, sipas arsyetimit, procedura nuk ka përfunduar në formë të prerë, andaj kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e palejuar.

Seanca e fundit ndaj Ukë Rugovës dhe 19 të tjerëve ishte mbajtur më 22 nëntor të vitit 2017, por edhe ajo ishte shtyrë me kërkesë të gjykatësit Petrov Petkov, i cili kishte kërkuar veçim të procedurës për të akuzuarit Ukë Rugovën, Izet Beqirin, Florjan Petanin dhe Qefser Bahollin.

Këtë propozim, e kishte kundërshtuar prokurori i atëhershëm i rastit, Alan Casnick, i cili kishte thënë se një veçim i tillë do të ishte i panevojshëm, ndërsa disa nga mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar kohë që të deklaroheshin për këtë propozim.

Në bazë të kësaj, gjykatësi i atëhershëm Petkov, u kishte dhënë shtatë ditë kohë mbrojtësve të të akuzuarve, që të paraqesin mendimin e tyre me shkrim dhe pas kësaj, gjykatësi kishte thënë se do ta caktonte seancën tjetër për këtë rast.

Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë. /BetimipërDrejtësi

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme