Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, është prononcuar për “Gazeta Blic”, rreth deklarimeve të fundit që janë bërë nga disa anëtarë të këtij subjekti politik lidhur me kandidimin e tyre për kryeministër të Kosovës.
Më saktësisht, rreth deklarimeve të Gazmend Muhaxherit, i cili është shprehur i bindur se ai është kandidati më potencial nga LDK, për një post të tillë.
“LDK i ka organet e veta, të cilat në kohën e duhur, kur do ketë zgjedhje do i bëjnë propozimet dhe kandidaturat relevante, tani nuk është garë elektorale, por ambiciet e shprehura janë normale, dhe kjo dëshmon për debat të hapur dhe liri mendimesh në LDK”, thotë Rugova, për “Gazeta Blic”.
Kurse, sa i përket deklarimeve të Muhaxherit, qe edhe Mimoza Kusari- mund të jetë kandidate e mundshme për kryeministre nga koalicioni LAA, Rugova tha se, LDK nuk ka nevojë për koalicione, sepse, do të jenë fitues në çfarëdo zgjedhje.
“Për koalicione, vendosin organet e partisë, nuk besoj që LDK ka nevojë për koalicione, jemi të parët dhe do të dalim në cilado zgjedhje që organizohen”.
Ndryshe, Gazmend Muhaxheri, është anëtari i parë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili ka shprehur hapur ambiciet e tij që të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër.
Deklaratat e tij, janë cilësuar si të ‘ngutshme’ nga nënkryetarët e këtij subjekti politik.
Muhaxheri, kishte deklaruar se ai duhet të jetë kandidat i LDK-së, për kryeministër, pasi që, ka potencial dhe ka fituar gjithmonë zgjedhjet pa balotazh.