Nënkryetar i LDK-së, Haki Rugova, ka thënë për “Zërin” se LDK-ja po pret që Qeverinë ta formojë koalicioni fitues.
Sipas tij, nëse ky i fundit dështon, atëherë LDK-ja do t’i fillojë bisedimet me të gjitha grupet e partive politike. “Ne si LDK po e presim që ta bëjë Qeverinë koalicioni aktual. Nëse ata dështojnë, atëherë ne bisedojmë me të gjitha grupet”, ka thënë Rugova.
Por Dimal Basha, njohës i çështjeve politike, ka thënë se thirrja e seancës në shtator është e vonuar. Sipas tij, nëse seanca dështon sërish situatën duhet ta zhbllokojë Gjykata Kushtetuese. “PAN-i duhet ta kuptojë se nuk mund ta mbajë peng popullin nëse nuk mund të gjejë zgjidhje brenda javës. Shtatori është vonë për një vend që po humb miliona, duke vënë interesin e partive para qytetarëve. Unë mendoj se nëse dështon seanca e radhës do të ishte e patjetërsueshme që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për ta zhbllokuar këtë situatë, e cila është krejtësisht e tepruar dhe irracionale”, ka thënë Basha./Zeri/.