Ministria e Jashtme ruse thirri sot ambasadorët e vendeve të huaja që kanë dëbuar diplomatë rusë, për t’u dorëzuar atyre nota proteste dhe për t’i informuar mbi kundërpërgjigjen e Rusisë. Vendet e njoftuara sot për dëbimet ishin 23, mes tyre edhe Shqipëria.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ka njoftuar ambasadorët e shumicës së vendeve që urdhëruan dëbimin e diplomatëve rusë se një numër i barabartë diplomatësh të tyre janë shpallur persona non grata.
Rusia njoftoi dje se do të dëbonte 150 diplomatë të huaj, një numër i barabartë me numrin e diplomatëve rusë që u dëbuan nga vendet anëtare të BE, NATO dhe SHBA, 60 prej të cilëve diplomatë amerikanë,.
“Dëbimi i zyrtarëve të padeklaruar të inteligjencës ruse nga Shtetet e Bashkuara dhe nga më shumë se 24 vende partnere dhe aleatë të NATO-s këtë javë ishte një përgjigje e përshtatshme ndaj sulmit rus në territorin e Mbretërisë së Bashkuar. Përgjigja e Rusisë nuk ishte e papritur,” thuhej në deklaratë.
Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë dhe Çështjet Publike, Heather Nauert, gjithashtu kritikoi veprimet e Moskës, të njoftuara më parë gjatë ditës nga ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov.
“Rusia nuk duhet të sillet si viktimë”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, duke vënë në dukje se viktimat e vetme dhe të vërteta janë ata që u helmuan më 4 mars me agjent nervor në qytetin britanik Salisbury.