Rusia do të dëbojë “shumë shpejt” diplomatët britanikë, në kundërpërgjigje të masës së ndërmarrë nga Britania e Madhe një ditë më parë për dëbimin e 23 diplomatëve rusë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ua ka komunikuar këtë medieve ruse, duke theksuar se dëbimet “do të ndodhin”, por pa dhënë një afat kohor.
Britania reagoi me masa të ashpra ndëshkuese, pasi Moska refuzoi të shpjegonte faktin sesi një agjent nervor i prodhuar në Rusi u përdor në helmimin e ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në ishull.
Moska vijon të mohojë përgjegjësinë për atë sulm, madje ministri i Jashtëm rus i quajti akuzat e kryeministres Theresa May si “të papërgjegjshme”.
I pyetur se kur do të realizohen dëbimet, Lavrov citohet të ketë thënë se “së shpejti, por do të ndodhin”. “Ua premtoj këtë gjë”, u ka thënë reporterëve vendas.
Ai thuhet t’u jetë referuar akuzave britanike ndaj Rusisë si “tejet të vrazhda”.
Lavrov tha gjithashtu se qasja e Britanisë së Madhe ndaj kësaj çështjeje është nxitur veçanërisht prej problemeve qeveritare mbi “Brexit”-in.