Gjatë qëndrimit tim të fundit në Tiranë edhe nuk flitej gjithaq për zgjedhjet e 14 majit sa për dëshpërimin që ka pllakosur mëmëdheun dhe për shpresën dhe vullnetin rinor që e ka braktisur atë.
Dhe përderisa me miqtë e mi e rikujtojmë të djeshmen kur donim që Shqipëria të shpëtojë nga kthetrat e partizimit, sot na ngulfat e vërteta se edhe tridhjetë vite pas rënies së komunizmit, ajo nuk shkoi më larg se të bëhet vend i përshtatshëm për ‘butakët’ pa bosht kurrizorë që i përkulen Kryeministrit, por i pabanueshëm për ata që e kanë dhe që duan ta mbrojnë portretin e vet individual.
Pra, na duket e pabesueshme e vërteta se Shqipëria e sotme është shtet që e jeton ‘diktaturën’ shumëpartiake të ‘Rilindësve’, të cilin shtet, Piktori e shndërroi në pronë të veten edhe atë, jo duke i kontrolluar të vërtetat publike, por duke i vënë nën kontroll gënjeshtrat për vetveten, pra jo duke i mbyllur kufijtë dhe duke i vrarë në kufi ata që e braktisin shtetin që ai drejton, por përkundrazi: duke i nxitur dhe duke i detyruar kundërshtarët e vet politik ta braktisin vendin.
Dhe kështu – njësoj si Enveri që dikur ndërtonte shtet vetëm për të dëgjueshmit e vet – edhe Piktori, ndërtoi Shqipëri të banueshme vetëm për ata që i përkulen atij. Andaj mbase edhe nuk ka ndonjë dallim të madh mes diktaturës së Enverit që të vriste kur e kaloje kufirin e Shqipërisë, nga diktatura e sotme e ‘Rilindjes’, që të ‘vret’ pse nuk e kalon kufirin e nuk e lejon atë të ndërtojë shtet vetëm për ‘vëllazërinë’ e kriminelëve të vet.
Dhe kështu pra, pas thuajse tri dekadave ‘demokraci’, Shqipëria e sotme thuajse me asgjë nuk dallon nga ajo e diktaturës komuniste, kur ndërtoheshin përmendore kur të donte dhe ku të donte Xhaxhi Enver, nga kjo e sotmja, e cila i ngjan një lëndine pa pronar, ku ‘Rilindësit’, ngrenë nga një kullë ku të duan dhe kur të duan.
Gjatë vizitës sime të fundit në Tiranë, me miqtë e mi nuk flisnin gjithaq për atë se kush do i fitojë zgjedhjet vendore të 14 majit, por debatonim për atë si ta shpëtosh Shqipërinë nga diktatura ‘demokratike’, e cila mbështetet mbi varfërinë e popullit, mbi spektaklet me të cilët mbulohet realiteti i mjerueshëm, mbi kontrollimin e gënjeshtrave që publikohen nëpër media, e që duhet t’i fshehin të vërtetat për ‘Rilindësit’ e Piktorit.
E sa u përket zgjedhjeve vendore, ato mbase më së miri do tregojnë nëse Shqipëria e ka kuptuar se ka rënë në duart e atyre që paturpësinë, papërgjegjësinë dhe përbuzjen ndaj gjithë kundërshtarëve të vet, i kanë ngritur në vlera demokratike.
Në duar e atyre që na mbajnë për budallenj neve që themi: Zotërinj, jo vetëm nëpër plazhe, por edhe rrugëve të Tiranës ju mund të dilni cullak, por mos na mbani për mendjelehtë neve që themi se turpi, ndershmëria dhe ndërgjeshmëria, janë bosht i rëndësishëm mbi të cilin qëndrojnë shoqëritë dhe njerëzimi!
Dhe që themi se Piktori e bëri Shqipërinë vend ku thuajse është turp të turpërohesh dhe ku nuk dihet më nëse edhe hajduti edhe bardi, edhe krimineli edhe i ndershmi, edhe i pafytyri edhe i ndërgjegjshmi…, pra ku nuk dihet mos vallë të gjithë ne jemi strehuar në ‘kalanë’ e ‘Rilindjes’, e ku pasurohemi e majmemi nga varfëria shqiptare! (Kim Mehmeti)