Avokati Redi Ramaj e konsideroi të drejtë vendimin e Gjykatës ndaj Safet Gjicit, duke i riklasifikuar veprën penale, pavarësisht se sipas tij kjo është në favor të ish-kryebashkiakut.
I ftuar në studion e emisionit “Open” në News24, Ramaj tha se ‘Alma Kaçi ka pasur elementë të veprës penale dhe për mënyrën se si është sjellë gjatë gjykimit duke pretenduar se ka një ngjarje më të madhe’.
“Shpërdorimi i detyrës qëndron. Është i drejtë vendimi i Gjykatës duke e kualifikuar si vepër pavarësisht se i vjen në ndihmë Gjicit duke pasur parasysh maksimumin e dënimit sa i përket dy veprave, korrupsionit aktiv dhe shpërdorimit të detyrës.
Nga ana tjetër, zonja Kaçi ka pasur elementë të veprës penale dhe për mënyrën se si është sjellë gjatë gjykimit duke pretenduar se ka një ngjarje më të madhe. Nuk është artikuluar qartë se kush ka qenë makinacioni apo se kush fshihet pas asaj ngjarje. Thjesht ka qenë vajtja në një zyrë për të kryer në shërbim. Përveç shërbimit seksual, shërbimi tjetër është një premtim”, tha ai.