Sahiti s’e di që është kthyer në “të dyshuar” për rrahjen e Mustafës, nuk e mendon dorëheqjen

Nazim Sahiti, shef i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, ka thënë të mos ketë njohuri se i ka ndryshuar statusi në kuadër të hetimeve që po kryhen në rastin e rrahjes së drejtorit të PTK-së, Agron Mustafa.

Megjithatë, Sahiti i ka thënë Kohës Ditore, se do ta respektojë çdo hetim që kryhet nga institucionet e vendit.

“Nuk jam i informuar. Do ta respektoj çdo hetim që bëjnë institucionet relevante dhe jam i bindur që do ta zbardhin të vërtetën”, ka thënë Sahiti, përcjell Koha.net. “Unë jam sjellë konformë dispozitave ligjore. Nuk është e vërtetë që kam deklaruar rrejshëm në Polici që nuk ka pas përleshje. Kur kam thënë që ka qenë fjalosje e kam pasur fjalën për fjalosjen dy tri ditë më parë që e kanë pasur (v.j. Tarkani me Agron Mustafën). Unë e di më mirë se ju se çka është vepër penale”, ka thënë Sahiti.

Ai është pyetur nga gazeta nëse e sheh të udhës që të japë dorëheqje nga posti i lartë që mban në Policinë e Kosovës, për t’i lënë evnd hetimeve të pavarura, por ai ka thënë se një gjë të tillë nuk e sheh të nevojshme.

“Për çka dorëheqje? Unë nuk kam bërë asgjë. Nuk do të largohem assesi”, ka thënë Sahiti.

Koha.net raportoi më parë se Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka kthyer në të dyshuar drejtorin e njësisë për Krime Ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti, i cili u përfshi në një përleshje fizike ndaj drejtorit të PTK-së, Agron Mustafa.

Koha Ditore nga burime të veta kishte marrë vesh se prokuroria e ka kthyer drejtuesin e lartë në Policinë e Kosovës nga dëshmitari i rastit në të dyshuar.

“Shefit të Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti, të amnistuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, më në fund i është ndërruar cilësimi juridik nga Prokuroria. Nazim Sahiti nga dëshmitari është kthyer në person të dyshuar pas shikimit të incizimeve nga Prokuroria”, thonë burime të Kohës Ditore brenda Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Sipas këtyre burimeve, ka pasur një sfidë të madhe për të proceduar me rastin për shkak të presioneve të vazhdueshme në trajtimin e këtij rasti bazuar në përfshirjen e profilit të menaxhmentit të lartë të Krimeve Ekonomike.

Koha.net ka provuar të enjten pasdite që të kontaktojë me prokuroren e rastit, Rukije Shasivari, por ajo nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Koha Ditore ka raportuar se një DVD e një lokali në afërsi të vendit, ku zyrtarë policorë kanë rrahur drejtorin e Postës dhe Telekomit të Kosovës nuk është ekzaminuar fare nga Inspektorati Policor i Kosovës kur kanë vendosur që të suspendojnë policin Avni Berisha i njohur si “Tarkani”, ndërsa “ta amnistojnë” shefin e Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti.

Por e njëjta video ka bërë që prokurorja e rastit ta ndryshojë cilësimin për drejtorin e PTK-së, Agron Mustafa nga i “dyshuari” në “viktimë”. Videoja, siç ka mësuar gazeta, ndër të tjera ka sqaruar se Agron Mustafa nuk e ka sulmuar policin me nofkën “Tarkani”. Se Mustafa e ka sulmuar “Tarkanin” ka thënë Sahiti në deklaratën e dhënë në hetuesi.

Ngjarja kishte ndodhur të shtunën e 30 dhjetorit të vitit 2017, te vendi i njohur si “Kafet e Vogla”.

© KOHA. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme