Sajoi vdekjen për të shpëtuar nga drejtësia, ekstradohet në Shqipëri Davide Pecorelli

Është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë shtetasi Davide Pecorelli, i cili është marrë në dorëzim sot në Rinas nga Forcat Operacionale të DPB-së dhe po dërgohet në Institucionet e Ekzekutimeve të Veprave Penale.


Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, ndaj tij është caktuar masa “arrest në burg”, pasi dyshohet për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Biznesmeni italian Davide Pecorelli, i ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, do të duhet të vuajë një dënim me 4 vite burg.

Në një deklaratë për mediat italiane, Pecorelli është shprehur se shqetësimi i tij i vetëm është familja “Nuk kam frikë. Jam i shqetësuar për familjen time, fëmijët e mi, babain dhe vëllain tim me aftësi të kufizuara”.

Ai pretendon se ndaj tij po ushtrohet një padrejtësi e madhe, duke theksuar: “Një vendim i vështirë për të pranuar më bën të mendoj për një plan përndjekjeje. Nuk e kam mohuar kurrë të kem kryer krime në Shqipëri dhe kam kompensuar dëmet përtej vlerës së tyre, si në rastin e makinës që i kisha vënë flakën. Nuk kam precedentë penalë dhe jam ish-oficer ushtrie, një sipërmarrës që u kam dhënë punë qindra njerëzve”.

Pecorelli ka njoftuar gjithashtu se ka nisur procesin për marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Ai është martuar me një grua shqiptare në dhjetor të vitit 2023 dhe planifikon të heqë dorë nga shtetësia italiane, pasi ndjehet i “tradhtuar” nga shteti i tij.

Pecorelli u zhduk nga Italia në janar të vitit 2021 dhe falsifikoi vdekjen e tij në Shqipëri për t’i shpëtuar kreditorëve. Makina me të cilën udhëtonte u gjet e djegur në Pukë me mbetje njerëzore brenda. Më vonë, ai u lokalizua në Itali pranë ishullit Montecristo.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme