Zgjim Islami, nipi i Drejtorit të ATK-së Sakip Imeri, është punësuar në Administratën Tatimore të Kosovës si Vozitës.
Gazeta JnK ka zbuluar se ai i ka mposhtur rreth 300 kandidatë sa kanë konkurruar për 5 pozita të lira të punës si vozitës.
Zgjim Islami është djali i motrës së drejtorit të përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imerit, shkruan kallxo.com
Pranimi i tij është bërë përmes konkursit publik që është hapur në muajin qershor, në të cilin janë kërkuar 5 vozitës të cilët do të shërbenin për nevoja të institucionit.
I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Imeri fillimisht ka ngurruar të tregojë për lidhjen familjare me Zgjim Islamin, mirëpo më tej e pranoi se ‘ka një nip që quhet Zgjim Islami’.
Ai është pyetur disa herë nëse personi që është punësuar (Zgjim Islami) është djali i motrës së tij, mirëpo i ka ikur përgjigjes.
Fillimisht ka thënë se “unë e kam një nip Zgjim Islami, e ai Zgjim mundet edhe mos me qenë nipi im hiq”, e më vonë ka filluar dhe e ka arsyetuar punësimin e tij.
“Konkursi është publik, kanë kandidu aty, është shpallë rezultati, unë nuk shoh diçka aty, mirëpo drejtohu burimeve njerëzore se a kam nip a jo, por konkursi s’ka përfunduar ende. Unë e kam një nip Zgjim Islami, e ai Zgjim mundet edhe mos me qenë nipi im hiq”, tha Imeri për Gazeten JnK.
Gazeta ka dërguar pyetje në zyrën për media të ATK-së për të kuptuar lidhjet familjare të Zgjim Islami dhe nëse punësimi i tij përbën konflikt të interesit. Gazeta ka kërkuar nga ATK-ja edhe anëtarët e komisionit intervistues që i kanë dhënë pikë maksimale Zgjim Islamit. Pyetjet janë dërguar në ATK me datën 4 gusht, mirëpo deri më tani ata ende nuk kanë kthyer përgjigje.
Gazeta ka tentuar të kontaktojë edhe me Zgjim Islamin, fillimisht përmes telefonit dhe pastaj edhe përmes rrjetit sociale Facebook (në të cilin ka të publikuar një foto bashkë me drejtorin e ATK-së, Sakip Imerin), mirëpo ai nuk është përgjigjur.
E drejtori i ATK-së, Imeri disa herë e ka përsëritur që është ende të flitet për punësimin e Zgjim Islamit pa u përfunduar procesi i rekrutimit për shkak se ende ka kohë për ankesa.
Njoftimi për kandidatët e suksesshëm është publikuar më 27 Korrik dhe janë 15 ditë kohë për të parashtruar ankesa kandidatët të cilët nuk janë pranuar.
Tutje ai tha se nuk ka ndikuar në procesin e punësimit.
“Jo more zotni, nuk jam marrë me këto punë, ai ka qenë konkurs publik, aty kanë konkurru mbi 300 persona. Përderisa është konkurs publik, nuk i mohohet kurrkujt e drejta me konkurru. Nëse konsiderohet konflikt interesi një pozitë ku i kufizohet dikujt e drejta, atëherë qenka konflikt interesi, përndryshe përzgjedhjen e ka bërë një komision rekrutues dhe jo drejtori”, tha Imeri për KALLXO.com.
Imeri ka thënë se dyshimet janë njerëzore në rastet e punësimit, por sipas tij Komisioni Rekrutues është zgjedhur bazuar në pozitat e tyre.
“Përzgjedhjen e ka bërë një komision, e tash nëse vlerësohet se ka konflikt të interesit për përzgjedhjen që e ka bërë një komision atëherë unë marr përgjegjësi”, tha Imeri për Kallxo.com. “Jo nuk kam ndikuar, ai është staf i nivelit… që as nuk më raporton mu as…”, ka shtuar Imeri.