Gazetare: Fatlume Dervishi
Qeveria mburret me mjetet e fituara nga Plani i rritjes i Komisionit Evropian si rezultat i reformave të realizuara. Në periudhën e tretë raportuese, atë të dhjetorit, shtetit i janë pranuar vetëm 16 reformave të realizuara, nga gjithsej 21 sa ka raportuar shteti të realizuara nga detyrimet e Agjendës së reformave, konfirmoi ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali. Nga 65.7 milionë eurot e fituara, 30.6 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa fondet e mbetura do të mbështesin projektet e infrastrukturës në transportin e qëndrueshëm, energjinë e pastër, zhvillimin dixhital dhe të kapitalit njerëzor.
“Na pret punë serioze në muajt në vijim veçanërisht në realizimin e hapave që janë ende në proces dhe në përmbushjen e reformave që kërkojnë koordinim më të madh institucional. Megjithatë mesazhi që po e dërgojmë sot është shumë i qartë, kemi kapacitet institucional, kemi administratë që mund të prodhojë rezultate, kemi vullnet politik për reforma dhe po ecim përpara”, tha ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali.
Opozita thotë se qytetarët duhet të dinë për paratë që shteti ka humbur si pasojë e mosrealizimit të reformave të mbetura e që afat kanë pasur dhjetorin.
“Në vitin 2024 janë përfunduar vetëm afërsisht 50% e reformave. Në gjysmën e parë të vitit 2025, 25% e reformave, në gjysmën e dytë të 2025-ës deri në dhjetor, vetëm 16% e reformave. Në vend të 134 milion eurove plus 60 milion nga detyrimet e pambaruara të vitit 2024, nëse kjo qeveri do të kishte qëllim dhe kapacitet të punonte, tani do të fitonim afër 200 milion euro. Ne fitojmë vetëm 65. Dua t’i kujtoj qytetarët që të vetëdijesohen se këto ndoshta janë paratë e fundit që marrim nga BE-ja. Tani kur BE-ja bën buxhetin e ri për periudhën 7 vjeçare dhe ne nuk bëjmë hapa përpara, është e mundur të mos hymë aspak në planifikimin e buxhetit të ri”, deklaroi Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe,
Së shpejti qeveria do të duhet të raportojë edhe për reformat që afat grejs realizimi kanë qershorin. Se sa para rrezikon shteti të humbë nëse nuk realizohen të gjitha pikat e qershorit, nuk është akoma e qartë.
“Presim që nga dhjetë pika të plotësojmë nëntë e gjysmë, me atë që kjo gjysma mbetet të trajtohet nga ana e KE-së si pikë që ka nevojë për dinamikë më të gjatë”, tha ministri Sali.
Komisioni Evropian ka vënë dje në dispozicion 65.7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut, 49 milionë euro për Shqipërinë dhe 44.2 milionë euro për Malin e Zi dhe në kuadër të Planit për rritje. Me këtë, shuma totale e lëshuar në kuadër të Planit arrin në 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut, 212.8 milionë euro për Shqipërinë dhe 89.3 milionë euro për Malin e Zi.



