Gazetar: Ardit Ramadani
Ndërtimi i Poliklinikës së Sarajit nuk ka përfunduar dhe deri në vendosjen e saj në funksion ka ende punë, konfirmon ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali. Konfirmimi i Salit vjen një ditë pasi zv/kryeministri i parë Artan Grubi u lavdërua në Facebook se ndërtimi kishte përfunduar kurse ky njoftim i Grubit u përgënjeshtrua nga bashkëpartiaku i tij, kryetari i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti.
Sali shtoi se askujt nuk i takojnë meritat ekskluzive për këtë poliklinikë, pasi që siç tha, ky projekt po realizohet në bashkëpunim mes disa institucioneve, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, Komunës së Sarajit dhe Shtëpisë së Shëndetit në Shkup.
“Deri më tani poliklinika e Sarajit nuk mund të konsiderohet se është kryer me ndërtimin, kemi disa vërejtje të vogla te pjesa teknike makinerike, edhe aty te instalimi do të duhet të intervenojmë, për pjesën e pajisjes. Dua të cek, opinioni duhet të jetë i informuar se ne pajisjet kryesisht deri më 80 për qind ministria e Shëndetësisë i ka siguruar që nga muaji shtator por për shkak të peripecive lidhur me pjesën ndërtimore ne nuk i kemi instaluar dhe ata presin në depo për t’u instaluar, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Sali shpreson që kjo poliklinikë të lëshohet në funksionim në fund të muajit janar.
“Deri tani janë kryer kryesisht punimet ndërtimore, mirëpo në projektin bazë nuk është paraparë ndërtim i rrethojës dhe rrugës e cila ka qasje nga pjesa e jashtme e parkut deri në brendinë e poliklinikës të Sarajit, për këtë arsye është paraparë që të realizojmë edhe një aneks marrëveshje me realizuesin e punimeve në poliklinikë dhe kjo mbetet që brenda javës së ardhshme të bëhet, u shpreh Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Ndërsa përkundër fotografive të bukura të poliklinikës së Sarajit në profilet e Facebook të zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi, televizioni Alsat vizitoi dje këtë objekt. Pamjet tregojnë se vendosja e këtij objekti në funksion do të marrë kohë./Alsat.mk