Saranda Bogujevci, një e mbijetuar e masakrës së vitit 1999 në Podujevë, dënoi sot vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit për të liruar para kohe nga burgu Sasha Cvjetanin, një anëtar i njësisë policore “Akrepat” që kreu krimin.
“Ai i kreu këto krime me vetëdije të plotë. E mbaj mend këtë njeri që kur mora pjesë në gjyq me familjen time në vitin 2003”, tha Bogujevci për BIRN.
Bogujevci, e cila tani është deputete e Kuvendit të Kosovës, tha se familjet e viktimave “po kalojnë përsëri dhimbje dhe vuajtje se Serbia nuk po merr përsipër përgjegjësinë”.
Cvjetan ishte midis anëtarëve të njësisë “Akrepat” që hapën zjarr mbi një grup prej 19 shqiptarësh të Kosovës në Podujevë më 28 mars 1999, përfshirë gra dhe shtatë fëmijë.
“Akrepat” vranë 14 prej tyre, ndërsa pesë fëmijët që mbijetuan pësuan lëndime të rënda. Viktima më e re ishte vetëm dy vjeç dhe më e moshuara ishte 69 vjeç.
Gjykata serbe i dha lirim të parakohshëm Cvjetanit më 21 mars, sepse ai kreu dy të tretat e dënimit me 20 vjet burg, por vendimi nuk u bë publik.
Përndryshe ai do të kishte ndenjur në burg deri në tetor 2021.
Në vendimin e saj me shkrim, i cili u bë publik nga OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare të mërkurën, Gjykata e Lartë thotë se “mund të pritet” se Cvjetani do të sillet mirë dhe nuk do të kryejë asnjë krim nëse lirohet.
FDH gjithashtu e kritikoi lirimin e hershëm të Cvjetanit, duke thënë se gjatë gjyqit ai nuk shprehu kurrë pendesë dhe keqardhje dhe pretendoi se procesi ishte “politik”.
“Ai shprehu keqardhje vetëm për vuajtjet e viktimave, si pjesë e një përpjekjeje për të zvogëluar përgjegjësinë e tij,” tha FDH në një deklaratë për shtyp.
Gjykatat serbe kanë burgosur një total prej pesë anëtarësh të njësisë “Akrepat” të Ministrisë së Brendshme për sulmin e vitit 1999 në Podujevë.
Cvjetan, Zhelko Gjukiç, Dragan Mediq dhe Dragan Borojeviq u dënuan me nga 20 vjet burg dhe Miodrag Solaja me 15 vjet burg.