17 vrasësit e dënuar në Britani që pritet të deportohen në Shqipëri, mes tyre vrasësi serik i njohur si “Scarface”

Një prej vrasësve më të rrezikshëm shqiptarë është në mesin e 17 personave që do të deportohen në vendlindje nga Britania e Madhe për të përfunduar pjesën e mbetur të dënimeve. Siç shkruan “Telegraph”, vrasësi i pesëfishtë, Mane Driza, që ka përdorur nofkën e karakterit të Al Pacinos, “Scarface”, është në mesin e vrasësve që nga gjykatat britanike në total janë dënuar me 336 vjet burgim.

45-vjeçari do të deportohet në bazë të një marrëveshjeje të ratifikuar javën e shkuar, përmes së cilës Britania do ta paguajë Shqipërinë katër milionë funte në vit për t’i kthyer 200 kriminelët më të rrezikshëm të burgosur për vrasje, dhunime, vjedhje e drogë. Ata do ta kalojnë pjesën e mbetur të dënimeve në Shqipëri.

Driza – i njohur edhe si Tony Montana apo “Scarface” – pati vrarë një burrë dhe djalin e tij në Shqipëri më 1997, para se të ikte në Mbretërinë e Bashkuar me emër tjetër. Më 1999 ai pati vrarë Stefan Monen, duke ia shkaktuar 120 prerje me thikë. Më pas kishte shkuar në Itali ku kishte vrarë dy burra në Sicili gjashtë muaj më vonë. I Intervistuar në burg, ai pati thënë se ka qenë plan i Mones që ta vriste për rastet e mëhershme. U dënua me burgim të përjetshëm.

Personi i dytë që do të deportohet është 37-vjeçari Koci Selamaj, i dënuar me minimum 36 vjetësh burgim për vrasjen e mësueses Sabina Nessa në shtator të 2021-s.

Vrasësi i dyfishtë, 48-vjeçari Ali Qazimaj, qe dënuar me minimum 35 vjet burgim pasi pati vrarë një çift pensionistësh më 2016.

Erland Spahiu ishte dënuar me 35 vjet burgim për rolin në kidnapimin dhe vrasjen e ish-boksierit Christopher Hughes në Lancashire. 34-vjeçari u dënua nën akuzën se ia ka shkaktuar boksierit mbi 100 lëndime. Banda e vrasësve kishte besuar gabimisht se boksieri kishte dhunuar një adoleshente.

Besnik Berisha 45-vjeçar është i dënuar me 33 vjet burgim duke u paraqitur si një polic për ta goditur me thikë 42 herë shokun e tij, për ta vrarë para një shkolle. Viktima, Shkelqim Paja, baba 36-vjeçar, kishte kërkuar shlyerjen e një kredie prej 15 mijë funte për Berishën.

33-vjeçari Eugert Merizaj ishte dënuar me 32 vjet burgim për vrasjen e një shoku narkodiler, ndërsa Lundrim Gjikokaj është dënuar me 28 vjet burgim për vrasjen e një 27-vjeçari shqiptar, që kishte refuzuar t’ia kthente borxhin prej 250 mijë funtesh.

Elton Sefa 27-vjeçar është dënuar me 22 vjet burgim për vrasjen e një kolegu ndërtimtarie në Londër.

Josif Nushi, 27-vjeçar po ashtu, është dënuar me 20 vjet burgim pasi kishte rrahur për vdekje një person që ishte përpjekur t’i vidhte drogë. 29-vjeçari Mihal Dhana është i dënuar me 16 vjet burgim për vrasjen e Tomasz Wagas. Motra e Wagas kishte thënë në gjykatë se trupi i vëllait të saj ishte hedhur “si të ishte mbeturinë”.

Radian Lika 36-vjeçar dhe Brikel Palaj 33-vjeçar, ishin dënuar me 20 vjet burgim minimum për therjen për vdekje të një shqiptari tjetër gjatë një përleshjeje për kanabis.

Dorian Pirija dhe Qazim Marku ishin dënuar me 19 vjet burgim për një rast të ngjashëm, që rezultoi me vrasje.

Erlin Hasa, i dënuar me 23 vjet burgim, është përshkruar si “përbindësh” në Gjykatë, pasi kishte therur për vdekje një burrë, në një rast të paprovokuar.

Ulsi Manja, ministri i Drejtësisë në Shqipëri, ka konfirmuar se Shqipëria synon t’i kryejë transferimet e para të të dënuarve nga Britania.

Ministria e Drejtësisë në Britani nuk ka komentuar raportimin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme