Gazetar: Angell Dimovski
Stacioni hekurudhor në Shkup dhe binaret kryesore hekurudhore nëpër vend së shpejti do të marrin pamje të re. Projekti, për të cilin ende nuk dihet se si do të financohet, është planifikuar të përfundojë brenda pesë – gjashtë viteve.
“Mund të përmbledh se brenda pesë deri gjashtë viteve nga sot, në të njëjtën kohë do të jenë të përfunduara hekurudha e shpejtë, të përfundojë aksi nga këtu deri te Aeroporti Petrovec, të kemi stacionin plotësisht të rikonstruuar. Ndoshta si paralajmërim në këtë moment do të duket edhe pak abstrakte, por besoni, punojmë me të gjitha forcat në të tre projektet paralelisht. Deri atëherë lind pyetja, deri atëherë së bashku me Fakultetin e Ndërtimtarisë, do të përpiqemi dhe do ta bëjmë Koridorin 10 të jetë në gjendje shumë më solide dhe më të sigurt”, tha Sinisha Ivanovski – drejtor i Hekurudhave dhe Infrastrukturës së Maqedonisë.
Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Josif Josifovski, theksoi se institucioni do të marrë pjesë në riparimin e urave, rrëshqitjeve të tokës dhe linjave hekurudhore.
“Ajo që mendoj se është shumë me rëndësi është fillimi, sepse të gjithë dëshirojmë të jemi pjesë e një familjeje më të gjerë, të jemi pjesë e atij rrjeti panevropian ku ne përkasim. Me këtë projekt do të sigurojmë ato kushte dhe standarde që praktikisht vlejnë në të gjitha vendet e Evropës Perëndimore”, u shpreh Josif Josifovski – dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë.
Aneta Hristova Popovska – dekane e Fakultetit të Arkitekturës, njoftoi se platforma do të transformohet në një hub social, ku do të zhvillohen ngjarje kulturore dhe artistike.
“Ajo që po planifikojmë është, para së gjithash, të ngjallim jetën në hapësirën e kësaj platforme, për të cilën mendojmë se ka kapacitet të madh të bëhet hub social. Kjo do të thotë të absorbojë përmbajtje që do të jenë kulturore dhe që do të mundësojnë zhvillimin e ngjarjeve në këtë platformë”, theksoi Aneta Hristova Popovska – dekane e Fakultetit të Arkitekturës.
Hristova Popovska theksoi se së pari do të bëhet dokumentimi dhe analiza e dokumentacionit origjinal./ Alsat.mk



